Mungoi në komision parlamentar, por ministri i Financave Petrit Malaj nuk i shpëtoi dot në seancë plenare vërshimit të pyetjeve mbi kë po mbron ligji i faljes së taksave, gjobave dhe kamatëvonesave.
Deputetët opozitarë akuzuan ministrin se po fsheh listën e bizneseve përfituese, në kundërshtim me ligjin. Në emër të sipërmarrësve të rregullt me shlyerjen e detyrimeve, demokratët vendosën para përgjegjësisë Petrit Malajn duke këmbëngulur që të jap llogari mbi të dhënat e kompanive që pastrohen nga detyrimet tatimore e doganore, madje duke hedhur edhe dyshime se përfituesit janë vetë porositësit e ligjit.
Debati u përshkallëzua deri në pretendime emrash përfituesish dhe për të ndalur akuzat u kërkua transparencë mbi procesin. Partia Demokratike i ka dërguar një letër Komisionit të Europës dhe Parlamentit Europian, ku ngre shqetësime se amnistia fiskale e maskuar si “paqe” cenon marrëdhëniet me BE dhe është rrezik për ekonominë.



