Një situatë e rrezikshme që ka shkaktuar frikë ka ndodhur në zonë e Çoles në Vlorë, pasditen e sotme.

Mësohet se një sipërfaqe me shkurre dhe pemë mori flakë pranë shkollës “Mario Posio”. Nga zjarri u dëgjuan disa shpërthime të forta, që dyshohet se vijnë nga municione të vjetra të pranishme në terren, duke shkaktuar panik dhe frikë tek banorët e zonës.

Fëmijët që po luanin në fushën pranë shkollës u larguan me vrap, ndërsa prindërit dhe banorët njoftuan menjëherë zjarrfikësit. Forcat e zjarrfikësve dhe policia mbërritën në vendngjarje, ku po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm.