Operacioni i fundit i SPAK ka hedhur dritë mbi aktivitetin e një rrjeti të fuqishëm kriminal që dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, organizatë e cila sipas hetimeve ka luajtur një rol kyç në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt tregut evropian. Autoritetet shqiptare dyshojnë se përmes kësaj strukture janë transportuar dhjetëra tonë lëndë narkotike, me sasi që llogariten të kenë kaluar 50 tonët.

Emri i Eldi Dizdarit ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e mediave dhe autoriteteve ndërkombëtare. Në vitin 2025, gazeta belge GVA publikoi një artikull të zgjeruar mbi figurën e tij, duke përshkruar një episod të ndodhur në Belgjikë, ku ai ishte ndaluar nga patrullat e policisë pasi po udhëtonte me shpejtësi të lartë në autostradën mes Antwerpit dhe Eindhovenit me një automjet luksoz.

Sipas medias belge, efektivët që kryen kontrollin nuk kishin dijeni se personi që ndodhej pas timonit konsiderohej një nga individët më të kërkuar nga autoritetet ligjzbatuese në disa vende evropiane, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Belgjikën dhe Holandën.

Në të njëjtin artikull përmendej edhe Denis Matoshi, një emër i njohur në qarqet e krimit të organizuar shqiptar, i cili sipas raportimeve jeton prej vitesh në Dubai. Gazeta shkruante se ai dyshohet se ka investuar shuma të konsiderueshme parash në sektorin e pasurive të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa figuron si banor në një prej komplekseve luksoze të zonës së Bluewaters Island.

Raportimi theksonte gjithashtu se Matoshi zotëron shtetësi belge dhe ka lidhje familjare me ish-misin shqiptar Suada Sherifi. Sipas dokumenteve të cituara nga media, në emër të saj figurojnë disa prona me vlerë të konsiderueshme në Dubai.

Emri i Matoshit është përmendur edhe në hetime të zhvilluara në Belgjikë që lidhen me një prej strukturave më të njohura kriminale në rajonin e Antwerpit. Autoritetet belge e kanë përfshirë atë në dosje që lidhen me korrupsion, përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe sigurim identitetesh të rreme përmes zyrtarëve të korruptuar.

Në ambientet kriminale të Antwerpit, ai njihet me nofkat “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”, emërtime që sipas mediave belge përdoren prej vitesh në qarqet e krimit të organizuar.

Hetuesit belgë kanë ngritur gjithashtu dyshime se Matoshi ka pasur lidhje me rrjete të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës që operojnë në portet strategjike të Evropës Veriore. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me individë të njohur të botës së krimit në Antwerp për të siguruar hyrjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës që mbërrinin nga Amerika Latine.

Zhvillimet e fundit të SPAK konsiderohen një goditje e rëndësishme ndaj një prej rrjeteve më të mëdha kriminale shqiptare me shtrirje ndërkombëtare, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht aktivitetin e organizatës.