Sot, më 22 mars, në Shqipëria kremtohet Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e komunitetit bektashian dhe myslimanëve, e njohur ndryshe si Sulltan Nevruzi. Kjo ditë shënon lindjen e Imam Aliut në Qabe, një nga figurat më të shenjta të besimit islam dhe prijës i parë i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu konsiderohej krahu i djathtë i të dërguarit të Zotit, Profetit Muhamed, ai ishte kushëri i Profetit Muhamed, pasi babai i Aliut, Ebu Talibi ishte xhaxhai i Profetit. Përveç kësaj, Imam Aliu u bë edhe dhëndri i tij, sepse u martua me vajzën e Profetit, Fatimen.
Nevruzi, që në persisht do të thotë “Dita e re”, simbolizon rigjallërimin e natyrës, ardhjen e pranverës dhe ringjalljen shpirtërore të njerëzimit. Festa ka origjinë të hershme dhe në Shqipëri kremtohet që nga përhapja e bektashizmit rreth shekujve XIII–XIV, ndërsa që prej vitit 1992 është shpallur festë kombëtare. Kjo ditë mbart një domethënie të thellë shpirtërore dhe filozofike për besimtarët, duke u lidhur me shpresën, drejtësinë dhe unitetin njerëzor e parimor që lidhen me figurën e Imam Aliut.
Për rëndësinë e kësaj feste ka shkruar edhe poeti i madh Naim Frashëri, i cili e cilësonte Nevruzin si një ditë rilindjeje universale. Sulltan Nevruzi përkon gjithashtu me ekuinoksin pranveror, moment kur dita barazohet me natën dhe simbolikisht drita triumfon mbi errësirën. Në traditën bektashiane besohet se në këtë çast çdo krijesë i falet Zotit, duke shënuar një fillim të ri për jetën dhe natyrën. Festimet zgjasin tri ditë dhe shoqërohen me rite fetare, vizita familjare dhe akte solidariteti.
Në mëngjes shpërndahet qumësht dhe sherbet si simbol pastrimi shpirtëror, ndërsa në teqe zhvillohen ceremoni, lutje dhe bekime për besimtarët dhe shoqërinë. Në tryezat familjare përgatiten ushqime tradicionale si byrek me 12 barishte, përshesh me mish, si dhe ëmbëlsira si sultiashi, kabunia dhe ashure. Një zakon i veçantë është vendosja e një monedhe në byrek, ku ai që e gjen konsiderohet me fat për vitin. Gjithashtu, besimtarët ndihmojnë të varfrit, mbjellin lule dhe vendosin degë ulliri apo thane në shtëpi, duke simbolizuar paqen, begatinë dhe jetën e re.
Gëzuar Sulltan Nevruzin të gjithë besimtarëve!
