Nikoll Radaçi, 57-vjeçari që në maj të këtij viti shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër, do të përballet me gjykim të zakonshëm.

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar, duke vendosur që çështja të kalojë në proces gjyqësor të zakonshëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur tre fëmijët ndodheshin në trotuar dhe u përplasën nga automjeti që drejtohej nga Radaçi. Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, ndërsa fëmija i tretë mbeti i plagosur.

Gjatë shqyrtimit të kërkesave paraprake, gjykata ka shpallur gjithashtu të papërdorshme procesverbalin e marrjes së mostrës së gjakut dhe aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor. Këto dokumente ishin kërkuar nga mbrojtja, e cila pretendonte se analizat tregonin se 57-vjeçari nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit.

Po ashtu, është vendosur pushimi i akuzës për drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt, pasi kjo vepër penale përfshihet në amnistinë penale të këtij viti.

Radaçi do të gjykohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e një të mituri tjetër.