Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PD, Tomorr Alizoti, i cili akuzoi mazhorancën se nuk po miraton një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.

Balla theksoi se Parlamenti shqiptar ka mbajtur gjithmonë qëndrimet e duhura kur ka ardhur momenti për çështje të tilla, duke e konsideruar kritikën e Alizotit si të pabazë.

Ai i ftoi demokratët të bëhen pjesë e protestës që do të zhvillohet nesër në Tiranë në mbështetje të Kosovës dhe kundër fushatës revizioniste që po ndjek Serbia.

“Edhe nëse nuk duan të marrin pjesë me ne, le të protestojnë te SHQUP-i,” u shpreh Balla me ironi, duke shtuar se “ndoshta do të kenë më shumë pjesëmarrës sesa në protestat e tyre të fundit”.

Deklarata vjen në një kohë tensioni të shtuar rajonal, ku Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbajë qëndrime të qarta në mbështetje të Kosovës përballë qasjes agresive të Beogradit zyrtar.

Taulant Balla: Kuvendi ka miratuar nga 1991 deri në 2025, 9 rezoluta e 11 deklarata sa i përket gjithçka ka ndodhur në Kosovë nga ’91 e deri në 2025.
Po shihja me kuriozitet rezolutën e miratuar në 1991, me konsensus të plotë nga deputetët e asaj legjislature.

Kuvendi ka mbajtur të gjitha qëndrimet kohën e duhur, për mbështetjen që kërkonte Kosova.

Nuk do të harxhon asnjë sekondë nga koha e vyer e Kuvendit për këtë çështje që ua kemi kthyer përgjigjen shpesh, por do kaloj në një çështje emergjente.
Asgjë që vjen nga Berisha e kur lidhet me Kosovën, nuk ka ardhur kurrë për mirë. Vendimi juaj, i PD për të bojkotuar protestën e nesërme ndërkombëtare në mbështetje të UÇK, është konfirmim i veprimeve kundër interesit të Kosovës.
Me që thatë se nuk doni krah Ramës, ai nuk do të jetë nesër në protestë, hajdeni pe nuk vini, sigurisht me kushtin që të mos e politizojmë. Bëni edhe ju nesër një protestë meqë nuk dini të vini me ta apo me ne. Bëni një tuajën nesër. Bëjeni në SHQUP, do ju vijnë më shumë sepse është një gjë që i përket interesit kombëtar”, tha ai.