Ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur edhe ditën e sotme akuzat ndaj kabinetit qeverisës dhe kryeministrit Edi Rama për lidhje me banda kriminale.
Ai përmendi ishullin e Arubas, ku sipas tij, një delegacion me zyrtarë të lartë të Shqipërisë ka zhvilluar një takim me bosa të mëdhenj droge. Berisha u shpreh se kjo është vërtetuar nga hetimet e anti-mafias italiane dhe se ka dyshime që ky delegacion është udhëhequr nga vetë Rama.
“Charter-i është nisur nga Tirana. Ju siguroj që kanë qenë zyrtarë dhe ministra të Shqipërisë, këtë e kam të sigurt. Falenderoj antimafian italiane dhe gazetarët italianë. Ka dyshime që ky delegacion është udhëhequr nga vetë Rama. Po këto janë dyshime. Megjithatë, Rama duhet të japë dorëheqjen. E dini që Aruba është qendra ku mblidhen bosat më të mëdhenj të mafias dhe drogës. Aruba është bursa botërore e drogës dhe krimit dhe është në kontroll të plotë nga katër klanet mafioze të Venezuelës. Kanë qenë kartelet e drogës së Shqipërisë dhe natyrisht ortakët e tyre të karteleve të Kolumbisë, Ekuadorit, Venezuelës etj.”- tha Berisha.