Përdorimi i lirë i ChatGPT nga mësuesit dhe nxënësit në shkolla, nga përgatitja e testeve dhe korrigjimi i gabimeve deri te detyrat dhe projektet, po ngre shqetësime te arsimtarët.

Sipas tyre, sistemi arsimor parauniversitar në Shqipëri nuk është ende plotësisht i përgatitur për përfshirjen e gjerë të inteligjencës artificiale në procesin mësimor.

Kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, Alma Lama, e cilëson infrastrukturën si një nga pengesat kryesore. Ajo thekson se për një përdorim efektiv të teknologjisë në shkolla nevojiten pajisje për nxënësit dhe mësuesit, investime në teknologji dhe trajnime të posaçme.

Edhe Ana Llazo nënvizon nevojën për përgatitje më të thelluar të mësuesve, në mënyrë që zhvillimi i aftësive digjitale të nxënësve të mos ecë më shpejt se ai i stafit pedagogjik.

Mësuesit tregojnë se inteligjenca artificiale është përdorur edhe më herët në shkolla, edhe pse pa një kuadër të qartë lejeje. Sipas tyre, përdorimi i saj pa infrastrukturën dhe udhëzimet e nevojshme mund të sjellë pasoja në cilësinë e arsimit.

Një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë që nxënësit të mbështeten te përgjigjet e gatshme dhe të reduktojnë përpjekjet e tyre individuale.

“Nxënësit do të dembelosen. Do t’i marrin gjërat të gatshme. Duhet të përdoret me kriteret e duhura për të qenë si mjet plotësues”, u shpreh një mësuese.

Ndërkohë, udhëzuesi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar vlerësohet si një orientim për përdorimin e inteligjencës artificiale, por arsimtarët kërkojnë më shumë kontroll, përfshirje të prindërve, trajnime dhe rritje të investimeve në arsim.