Platforma më e njohur dhe e përdorur së fundmi nga çdo njeri në mbarë botën e inteligjencës artificiale ChatGPT, ka hasur probleme duke i lënë përdoruesit e saj “në mëshirë të fatit”. Ky problem si duket ka mbërritur edhe në Shqipëri pasi përdoruesit në vend nuk po munden të përdorin platformën për të kryer punët e tyre.

ChatGPT, ka hasur probleme të konsiderueshme në funksionimin e saj, duke shkaktuar shqetësime për përdoruesit në mbarë botën. Sipas raportimeve të Downdetector, mbi 22,000 përdorues kanë njoftuar për ndërprerje dhe gabime që kanë zgjatur për më shumë se dy orë.

Problemet nuk janë të izoluara vetëm te ChatGPT. Përdoruesit kanë hasur vështirësi edhe me API-në e OpenAI, si dhe me Sora, mjeti i ri i videos me AI, që gjithashtu është pjesë e ekosistemit të OpenAI.

Në një deklaratë të shkurtër, kompania bëri të ditur se është në proces hetimi të çështjes, duke konfirmuar se shumë përdorues po përjetojnë gabime të vazhdueshme dhe vonesa në qasjen në shërbimet AI.

Ky problem është një nga më të mëdhenjtë e shënuar kohët e fundit për ChatGPT dhe shtron pikëpyetje për qëndrueshmërinë e sistemeve AI kur janë nën ngarkesë të lartë ose përballen me sfida teknike të papritura. Ende nuk dihet sa mund të zgjasë kjo ndërprerje, teksa ende nuk ka një reagim zyrtar nga përfaqësuesit.