Sundimtari i Venezuelës ka mposhtur opozitën, por jo sëmundjen
Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, shkoi në Kubë dje për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje të re kirurgjikale, pasi iu rishfaq sëmundja e kancerit. Chavez përmendi një emër si pasardhës i mundshëm për herë të parë në sundimin e tij 14-vjeçar të vendit naftëprodhues anëtar të OPEC-ut.
Mbështetësit e tij u mblodhën nëpër sheshet e vendit të tronditur dhe trishtuar nga lajmi se socialisti 58-vjeçar, qe sërish sëmurë. Në një fjalim ku ai pranoi para kombit sëmundjen e vet, Chavez deklaroi se zëvendëspresidenti Nicolas Maduro do të marrë përgjegjësinë në rast se nuk i mbijeton operacionit dhe u kërkoi mbështetësve të tij të votojnë për zëvendëspresidentin në rast zgjedhjesh.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme, tërësisht thelbësore që unë t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje të re kirurgjikale”, tha Presidenti në fjalimin e tij, ku qe i rrethuar nga ministrat me fytyrë të trishtuar. “Me vullnetin e Zotit, si edhe në raste të tjera, unë do të dal fitimtar”.
Më 10 janarin e ardhshëm, ai pritet të fillojë mandatin e tij të katërt si President, por largimi nga ky post, do të sjellë zgjedhje të parakohshme që duhet të bëhen brenda 30 ditëve. Fundi i tij mund të shënojë edhe fundin e një epoke për të majtën e Amerikës Latine, si dhe do t’i heqë SHBA-së zërin më irritues për Uashingtonin në këtë kontinent.
Një numër vendesh nga Karaibet te Kuba, Nikaragua, Bolivia dhe Ekuadori varen nga bujaria e Chavez dhe e naftës së bollshme të Venezuelës për të mbajtur në këmbë ekonomitë e tyre të dobëta.
Një tranzicion kaotik nga sundimi i centralizuar i Chavez mund të krijojë probleme për të gjithë botën për shkak të rolit të madh që Venezuela ka në tregun botëror të naftës.
Zëvendëspresidenti Maduro, 50 vjeç, i emëruar si pasardhës i mundshëm, është një ish-shofer autobusi dhe shihet si njeri shumë popullor për sjelljen e tij në publik, mustaqet, të shkuarën e varfër dhe marrëdhënien e ngushtë me Chavez.
Chavez u është nënshtruar pesë herë ndërhyrjeve kirurgjikale kundër kancerit që nga viti 2011. Ai tha se ka refuzuar këshillën e mjekëve për të kryer operacionin sa më parë, dhe i tha se kishte nevojë për kohë për të kërkuar leje nga Parlamenti i Venezuelës.
Udhëheqësit e opozitës i uruan Chavezit shëndet, por e kritikuan për shkak se nuk po përdor spitalet vendëse.