Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, zhvilloi sot një konferencë për shtyp.

Ai denoncoi një video të shitblerjes së votës, ndërsa ishte i shoqëruar nga demokrati, autori i videos. Paloka tha se pas publikimit të videos, demokrati Lulzim Memaçi është kërcënuar.

“Sot jam këtu për të bërë denoncim. Do e filloja me transmetimin e një videoje njëherë.

‘O beqo! Sa morën! 380… hallall. 500 mijë 3 vota bravo. Beqo!’

Nuk jam këtu për të denoncuar blerjen e votës, si kjo video gjeni me qindra në rrjetet sociale. Është video në mënyrë të fshehtë, por ka që benë hapur, që shprehen, bëjnë oferta. Autori i kësaj videoje është Lulzim Memaçi.

Është në gjendjen të vështirë ekonomike në fakt. Detyrohet sot me një makiinë që e ka marrë jo me paratë e veta, të punojë taksi. Pas daljes së kësaj videoje, në vendin e tij të punës i kanë vajtur dy persona që e kanë kërcënuar. Fjalët kanë qenë ‘çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë. Do ta shohësh ça do të bëjmë’.

Nuk mjaftohen me gjithë çfarë kanë bërë për të mbajtur këtë pushtet të ndryrë, por kërkojnë t’ju mbyllin gojën atyre që denoncojnë. Jam këtu për ta denoncuar këtë rast dhe për të marrë në mbrojtje publike Lulzimin. Rama mund të bëhet Mbret, por ta harrojë se mund të luajë me demokratët. Me pak apo shumë, jemi këta që jemi. Po e paralajmëroj që as të mos e çojë nëpër mend se do hakmerret ndaj atyre që nuk pranuan të shiteshin, apo të trembeshim. Lulzimi është demokrat, nuk është këtu se është trembur. Unë kërkova që ky fakt të bëhet publik”, u shpreh ai.