Një operacion kundër kultivimit të kanabisit është finalizuar në fshatin Gjirakare të Kolonjës, ku policia ka vënë në pranga një çift bashkëshortësh.
Të arrestuarit janë shtetasit L. V., 64 vjeç, dhe A. V., 54 vjeçe, të dy banues në këtë fshat.
Sipas njoftimit të policisë, në një sipërfaqe të pyllëzuar pranë banesës së çiftit u zbuluan 270 bimë të dyshuara narkotike. Autoritetet dyshojnë se ato ishin kultivuar nga dy bashkëshortët.
Pas dokumentimit të rastit, bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e tyre u morën për ekspertim.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të arrestuarve. Brenda saj, efektivët gjetën dy thasë me bimë të prera, të dyshuara si Cannabis Sativa, të cilat ndodheshin në proces tharjeje. Sasia e gjetur u sekuestrua si provë materiale.
Dy bashkëshortët tashmë do të përballen me akuzën për kultivim të bimëve narkotike. Dosja i është kaluar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale.
