Deputetja e Partisë Demokratike, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të dy të rinjve shqiptarë, Samira Xhaferi dhe Albi Çela, të cilët kanë humbur jetën në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor.

Tabaku i ka shprehur ngushëllime familjarëve të çiftit, ndërsa ka rikujtuar takimin e saj me Albi Çelën, një ish-student i drejtësisë.

Reagimi i Tabakut:

Sot mora një prej atyre lajmeve që të ngrijnë zemrën: ndarja nga jeta e Albit dhe e të fejuarës së tij, Samirës. Kam pasur shansin ta njoh Albin, një djalë të jashtëzakonshëm, të drejtë, të qetë dhe të përkushtuar. Një mendje e kthjellët dhe një zë i fortë i diasporës sonë.

Në podcastin Rule of Law me Megin, ai solli gjithmonë argumentin përpara mllefit, mendim kritik dhe idealizëm të rrallë. Më shkruante shpesh, me sugjerime, me kritika, me ide por gjithmonë me kulturë, respekt dhe dashuri për vendin.

Kështu do të mbetet në kujtimin tim: një djalë me karakter, me pasion dhe me integritet. I pastë shpirti dritë. Kjo humbje është e rëndë dhe fjalët janë të pamjaftueshme për të ngushëlluar familjet e tyre.