Rreth 29 mijë mësues të shkollave të Çikagos kanë nisur një grevë, duke lënë në shtëpi rreth 350 mijë nxënës. Vendimi për ndërprerjen e mësimit ka ardhur për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje mbi reformën shkollore, të aplikuar nga kryebashkiaku Rahm Emanuel. Sindikatat e mësuesve kërkojnë paga më të larta dhe sisteme të ndryshme vlerësimi për punën e docentëve.


“Nuk kemi arritur një marrëveshje për të evituar grevën”, ka shpjeguar kreu i sindikatës së mësuesve të Çikagos, Karen Lewis, në një konferencë për shtyp. “Në mëngjes, asnjë prej mësuesve nuk do të paraqitet në shkollë”, ka thënë më tej Lewis.


Ndërkohë kryebashkiaku Emanuel ka replikuar duke thënë se sindikata ka zgjedhur rrugën e grevës, ndonëse ishin shumë pranë arritjes së marrëveshjes. “Ishte absolutisht e panevojshme, ishte e shmangshme dhe nxënësit nuk e meritonin”, ka thënë Emanuel në një konferencë për shtyp, pas lajmërimit për grevë.


Kjo është greva e parë e mësuesve pas 25 vitesh. Mësuesit kërkojnë paga më të larta për ditët shtesë. Kërkesa fillestare ishte një rritje prej 30%, por gjatë negociatave, kryetari i bashkisë ka sqaruar se do të pranonte një shtim më të vogël në këmbim të normave më shtrënguese në punë dhe ndryshimin e procedurave të dëmshpërblimi në rast pushimi nga puna. Sindikatat kanë kërkuar uljen drastike të numrit të nxënësve në klasave dhe të shtoheshin financimet.


10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)