Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për mediat pas mbledhjes në selinë rozë të Ramës me drejtuesit e PS në qarqe.


Balla u shpreh se Partia Socialiste do të kryejë mbledhje të përjavshme deri në zgjedhjet e 25 prillit për të diskutuar çdo problematikë në çdo qark.


“Kemi diskutuar për një raportim dhe vlerësim të qytetarëve mbi cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen ndaj njerëzve. I kemi dorëzuar kryeministrit një raport për këtë. Gijthashtu kemi diskutuar edhe për krijimin e kanalit virtual për të vlerësuar performancën e çdo deputeti të PS. Ky kanal do jetë edhe për kontributin e çdo qytetari që jep vlerësimin për përfaqësuesit e popullit.


Thirrja ime është që çdo qytetar të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe shpresoj që opozita mos t’u kërkojë më qytetarëve të mos votojnë, se votimi nuk bëhet për partitë, por për vetë njerëzit.


Ky do të jetë një raportim i përjavshëm, ky takim u bë për vlerësimin e shërbimit ndaj qytetarëve në çdo qark. Do diskutohet një për një çdo lloj problematike, do të kemi një hartë të plotë të çdo lloj problem,” tha ai.