Një aksident i rëndë ka ndodhur pak para mesnate në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ku për pasojë kanë humbur jetën katër të rinj.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin viktimat është përplasur me një betoniere pranë zonës së Fushë Prezës dhe më pas është përfshirë nga flakët.
Viktimat e aksidentit janë Enejdi Laçi, Erildi Laçi të cilët pas identifikimit u mësua se ishin vëllezër, Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi.

Nga informacionet e deritanishme, dyshohet se mjeti tip Benz ka goditur nga pas betonieren, e cila ndodhej e parkuar.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat policore dhe zjarrfikësit nga Kamza, por për fat të keq, nuk kanë mundur të shmangin tragjedinë.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e betonieres, Aleksandër Krrashi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vijojnë.
