Një sondazh i publikuar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se cilin nga politikanët mbështesin më shumë shqiptarët.
Në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind).
Mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).
Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre. Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre.



