Urimet
Mesazhi i sekretares për 100-vjetorin: SHBA, partner dhe mik
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në urimin e saj drejtuar shqiptarëve shprehet se SHBA do jetë mik dhe partner i Shqipërisë. “Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, kam kënaqësinë t’i dërgoj urimet më të mira popullit të Shqipërisë, ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë tuaj këtë 28 nëntor. Që nga themelimi i republikës demokratike, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Sot, Shqipëria është gati t’i konsolidojë ato fitore dhe të integrohet në një Europë që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Por, kjo kërkon miratimin e reformave të mbetura tani, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente parlamentare pranverën e ardhshme, forcimin dhe modernizimin e mëtejshëm të demokracisë së Shqipërisë, në mënyrë që ajo t’u përgjigjet nevojave të popullit shqiptar. Ndërsa festoni me familjet dhe të dashurit tuaj, dini që Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe një mik. Presim me kënaqësi një të ardhme miqësie e bashkëpunimi të vazhdueshëm”, thuhet në mesazhin e Clinton. Disa ditë më parë, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, në mesazhin drejtuar homologut të tij, Bujar Nishani, shprehej se “Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Shqipërisë në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ne i rikonfirmojmë Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin tonë të fuqishëm dhe presim me kënaqësi që ta thellojmë edhe më tej marrëdhënien tonë në vitet e ardhshme. Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euroatlantike”. Ndër të tjera, Obama shprehej se “fjalimi historik i sekretares së Shtetit, Clinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”. Mesazh për këtë 100-vjetor lëshoi dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu. “Ne jemi krenarë që ju jeni bërë anëtar i NATO-s dhe presim me padurim që ju të zini vendin e duhur si anëtar i Bashkimit Europian. Ta gëzoni këtë moment, të jeni krenarë për historinë dhe traditat tuaja dhe mbi të gjitha mos harroni se historia e një kombi përbëhet nga kontributi i përbashkët i secilit prej jush. Gëzuar!”, tha Arvizu. B.HOTI
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori urime nga Papa Benedikti XVI, Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, dhe Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias