Një shtetas shqiptar 40-vjeçar është vënë në pranga nga policia italiane në zonën e Napolit, pasi dyshohet se ka hyrë i armatosur në një lokal publik, duke shkaktuar shqetësim dhe panik mes klientëve të pranishëm.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 2 qershorit, rreth orës 19:35, në komunën e Aversës. Sipas raportimeve të mediave italiane, qytetarët kanë njoftuar policinë pasi një person ishte parë me armë brenda një kafeneje në një zonë të frekuentuar të qytetit.

Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe kryen kontroll ndaj të dyshuarit. Gjatë verifikimeve iu gjet një fishek i kalibrit 7.65, si dhe materiale që përdoren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e armëve të zjarrit.

Hetimet vijuan edhe në zonën ku shqiptari ishte parë pak minuta më herët. Aty, pranë një koshi mbeturinash, policia zbuloi një pistoletë të modifikuar, të pajisur me karikator dhe një fishek.

Pas dokumentimit të provave, 40-vjeçari, banues në provincën e Casertës, u arrestua nën dyshimet për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sendeve me origjinë të dyshuar të paligjshme. Me urdhër të autoriteteve gjyqësore, ai u dërgua në burgun e Santa Maria Capua Vetere, në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.