Në raftet e marketeve dhe supermarketeve qytetarët shqiptarë e ndjejnë çdo ditë e më shumë rritjen e kostove të jetesës. Ndërsa qeveria po ndërton një platformë për monitorimin dhe krahasimin e çmimeve duke nisur nga vaji makarona oriz miell, fruta perime e deri tek detergjentët, në Greqi shteti ka ndërhyre për uljen e çmimeve në qindra produkteve. Pyetja qëndron nëse për qytetarin shqiptarë mjafton vetëm transparenca apo edhe dhe marrja e masave konkrete.
Në këtë situatë të rritjeve të çmimeve ku inflacioni kapërcen dhe objektivat e vendosura nga qeveritë, shumë shtete në Europë dhe botë kanë ndërhyrë me kufizime dhe subvencione duke nisur nga ulja e TVSH për produktet ushqimore dhe vendosjen e tavaneve për produkte të caktuara.
Masa më e fundit është marrë nga shteti grek i cili pavarësisht uljeve të mëparshme nëpërmjet një marrëveshje ndikoi në uljen e çmimeve të më shumë se 1,600 produkte bazë konsumi nga 5-7% e deri në 30% në disa raste. Por ndonëse në Shqipëri çmimet janë rritur ndjeshëm reflektuar në inflacion, i cili në korrik në 3.4% dhe ushqimet përbënin pothuajse gjysmën, qeveria kërkon të identifikojë hallkën ku çmimi shumëfishohen dhe nëse në këtë zinxhir krijohen marzhe të pajustifikuara.
Ndërsa ekspertët kërkojnë një marrje të masave në mënyrë direkte, vetë Ministrja e Ekonomisë deklaroi për Top Channel se shteti nuk është i informuar në vazhdimësi për të gjitha çmimet e produkteve ndaj duhen studime të tilla më të thelluara ndërkohë që qytetarët do të vijojnë të paguajnë më shtrenjtë.
Vetë INSTAT në raportin e tregtisë së jashtme bënë të ditur se 1 në 3 produkte është importuar. Për ekspertët e tregut ky fakt duhet të përkthehej në produkte më të lira për konsumatorët si pasojë e zhvlerësimit të euros, që i ka bërë importuesit më të favorizuarit këto kohë. Me vendimin më të fundit qeveria nuk garanton nëse çmimet do jenë më të larta apo të ulëta por informacion 360 gradë për arsyet e rritjes së çmimeve dhe uron të ushtrojë presion vetëm me kontrollet./ Top Channel
