Kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur me gazetarët të premten diskutoi edhe lidhur me çmimin e naftës dhe ndikimi të luftës me Iranin. Rama tha se qytetarët kanë nevojë për një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu i sotëm dhe kjo do të bëhet e mundur përmes një faktori shtetëror që të lehtësojë barrën e qytetarëve.

“Unë e kam shprehur që kur kemi bërë mbledhjen e parë të Asamblesë së Shumicës qeverisë pas zgjedhjeve që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktor shtetëror një forcë publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore.

Sot Shqipëria ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit. Ne ishim jashtë harte fare, por sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit por është Tirana dhe kjo është një arritje, me keqardhje për të gjithë ata që na duan të vdekur, por sa më shumë ne na duan të vdekur ne do ringjallemi. Besoj se shumë shpejt do të japim shembullin se si edhe në tregun e naftës gjërat do ndryshojnë. Duke vënë në dispozicion garancitë, do të jetë shumë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompani që e shpërndajnë naftën që të kemi qëndrueshme afatgjatë”, tha Rama.