Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka sqaruar në Kuvend projekt-ligjin për barazinë gjinore duke thënë se të vetmet gjini në Shqipëri janë burrë dhe grua.

Sipas Gogut, ky ligj nuk do të prekë Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën dhe nuk ka për referencë për të shpikur gjini të reja. Duke theksuar se ky ligj flet për barazi mes burrit dhe gruas në shoqëri, në paga, në ligj, ministri Gogu thotë se qeveria me projekt ligjin e propozuar, po heq dallimet e barrikadat e paragjykimeve mes dy gjinive.

“Është thënë se ky projektligj paska ‘deriçka të fshehta’, që të çojnë në rrugë pa kthim. Jo. Teksti merret me barazinë burrë-grua në jetën publike, paga të barabarta për punë të barabartë, shanse të barabarta, respekt të barabartë dhe qartëson zbatimin në sektorin publik e privat sipas standardeve të BE-së.

Nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën; nuk ‘shpik gjini të reja’, nuk imponon bindje mbi ndërgjegjen. Konceptet si ‘orientim seksual’ apo ‘identitet gjinor’ janë të njohura në korpusin tonë ligjor që prej 2010-s (ligji ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’). Ky projektligj vetëm përforcon mekanizmat e zbatimit në arsim, punësim dhe shërbime. Ai është hartuar nga institucionet shqiptare në dialog me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, degën e OKB-së për gratë dhe partnerë të tjerë, dhe përafron 10 direktiva të BE-së.

Si bir i kësaj shoqërie, e çmoj familjen burrë-grua. Ky projektligj e ndihmon atë me pagesë të barabartë, kundër diskriminimit dhe me rregulla të qarta zbatimi. Kundërshtarët realë të familjes nuk janë barazia dhe dinjiteti, por dhuna, varfëria, varësitë, mungesa e shërbimeve dhe emigracioni i detyruar. Në Maknor, kur sheh një gardh, nuk e shkul pa ditur pse është; por as s’e bën mur të pakalueshëm. Ne nuk po prishim gardhin e dallimeve, po heqim barrikadat e paragjykimeve që ua sekuestrojnë të drejtat më të dobëtëve”, tha Gogu.