I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë dëshmi në procesin gjyqësor ndaj personave të akuzuar si pjesë e grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu, duke zbuluar detaje mbi atentatin me lëndë plasëse ndaj një biznesi të lidhur me reperin Noizy.

Gjatë seancës në GJKKO, Tafani tregoi se përplasja kishte lindur fillimisht në rrjetet sociale, pas debateve dhe ofendimeve të ndërsjella në TikTok mes Kleviol Ahmetajt dhe Noizyt. Sipas tij, konflikti virtual më pas u kthye në plan për hakmarrje.

Ai deklaroi se Laert Haxhiu ndiqte situatën dhe mbante anën e Kleviol Ahmetajt, duke diskutuar me grupin mundësinë për t’i vendosur tritol biznesit të reperit. Tafani rrëfeu se vendimi për të kryer sulmin u mor pas bisedave familjare të Haxhiut, ku sipas tij, ai ishte nxitur emocionalisht nga të afërmit për incidentin me Kleviolin.

Në dëshminë e tij, Tafani përshkroi edhe përgatitjen e lëndës plasëse, mënyrën e transportit dhe lëvizjet gjatë natës së ngjarjes. Ai tha se eksplozivi ishte përgatitur paraprakisht dhe se grupi kishte përdorur automjete me targa të ndërruara për të shmangur identifikimin.

Sipas rrëfimit, objektivi fillestar ishte një ambient lokali, por për shkak të vështirësive për të hyrë në godinë, grupi vendosi që lënda plasëse të lihej pranë një biznesi poshtë objektit. Tafani pretendoi se ishte ai që aktivizoi fitilin përpara largimit nga zona.

Ai shtoi se shpërthimi u dëgjua ndërsa po largoheshin me makinë drejt zonës së Astirit, ku më pas automjeti u parkua.

Dëshmia e Tafanit konsiderohet një nga rrëfimet më të detajuara të deritanishme në procesin ndaj grupit të akuzuar, ndërsa hetimet dhe seancat në Gjykatën e Posaçme vijojnë.