Aktorja Julia Ilirjani ka komentuar deklaratën e Robert Ndrenikës ndërsa u shfaq krah kryebashkiakut Veliaj në sallën e gjyqit, ku u shpreh se ‘ç’të mbeti ty, vij e bëj unë’.

E ftuar në ‘Top Story’, aktorja u shpreh se Ndrenika ishte shumë i vetëdijshëm për reagimet që do të vinin pas qëndrimit të tij.

Julia Ilirjani: Të futesh në një zyrë dhe të dalësh me mendësi të tilla, ose të kanë kërcënuar, ose je shitur, ose vërtet ti beson te ky projekti i madh i teatrit. Pas kësaj kohe, Ndrenika shfaqet në krah të kryetarit të bashkisë, madje edhe me fjalinë që ‘unë mund të bëj burgun për ty’. Këtë e thotë vetëm dikush për fëmijën, ose kur i kemi të dy duart e lyera dhe po ndajmë fajin.

Hervin Çuli: Sot po ndërtohet një ngrehinë që është thjesht ai projekti në fasadë, por nuk ka projekt për teatrin. Ky është një nga krimet më të mëdha. Nuk ka projekt publik.

Julia Ilirjani: Pse u gjykua nga të tjerët Ndrenika? Kjo vjen si rrjedhojë e qëndrimeve të tij që nga shembja e teatrit deri tani. Unë mendoj që jo vetëm artistët, por çdo intelektual që ka influencë, e ka një lloj detyrimi ndaj publikut dhe duhet të mbajë qëndrime politike. A mërzitesh ti pastaj? Më vjen keq, por çdo qëndrim që ka, ka edhe pro edhe kundër. Figura jote është shumë e madhe. Ai e ka ditur shumë mirë që do të ishte shumë e madhe kjo furtunë që do të vinte pas, por zgjodhi të rrinte në krah të Veliajt.”