Një operacion i gjerë ndërkombëtar do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafikut të kokainës që veprojnë nga Amerika Latine drejt Europës.
Në qendër të këtij aksioni ndodhen grupet kriminale të njohura si “çunat e Londrës”, të cilat dyshohet se kanë lidhje të forta edhe në Shqipëri.
Sipas njoftimit të NCA, të cilës i referohet Top Channel, “FBI-ja britanike” ka ngritur një grup special hetimor në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Ballkanit. Qëllimi është identifikimi dhe shkatërrimi i rrjeteve që kontrollojnë furnizimin e kokainës nga burimi në Amerikën e Jugut deri në tregjet e Europës.
Burime nga operacioni bëjnë me dije se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë përfshirë në hetime, si pika kyçe në rrugën ballkanike të drogës. Strukturat e përfshira dyshohet se menaxhojnë transportin përmes porteve në Adriatik dhe Mesdhe, duke përdorur kompani fiktive për të fshehur ngarkesat me drogë.
Në deklaratën zyrtare, zëvendësdrejtoresha e NCA-së, Kate Appleby, theksoi se: “Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë një ndikim të madh në tregun global të kokainës. Ky operacion do të përqendrohet te individët dhe rrjetet që përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e vendeve tona.”
Ky bashkëpunim i ri ndërkombëtar vjen në kuadër të samiti të Ballkanit Perëndimor në Londër, ku është theksuar domosdoshmëria për forcimin e luftës kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas hetimeve paraprake, “çunat e Londrës” dyshohet se kanë ngritur një rrjet të sofistikuar furnizimi dhe shpërndarjeje, duke përdorur kontakte në Amerikën Latine, Afrikën Perëndimore dhe Europën Qendrore.
Hetimet pritet të zgjerohen edhe më tej në javët në vijim, ndërsa autoritetet britanike dhe ballkanike paralajmërojnë arrestime të bujshme në kuadër të këtij operacioni të përbashkët antidrogë.