Avokati Kujtim Cakrani ka bërë një deklaratë të habitshme, teksa foli në emisionin “Breaking” për arrestimin e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja.

Avokati tha se sipas tij, deputeti është thjesht një viktimë e mafies dhe ka qenë i detyruar t’i shërbejë grupeve kriminale pasi është kërcënuar dhe marrë peng.

“Për mua zoti Çyrbja nuk duhet të ishte arrestuar fare. Ai është viktimë. Ai është një djalë që ka rënë pre e mafies. Kur kam folur këtu unë që Shqipëria është si Siçilia e viteve ’80, po ju them që nuk është më Siçilia ’80, por është ‘Ndrangheta’ e tanishme. Kjo do të thotë se kemi një mafie shumë të strukturuar dhe të fuqishme, e cila njerëzit e vet që i ka të pastër i fut në polici, i bën deputetë, kryetar bashkie, guvernatorë dhe ky është fiks rasti. Ky zotëria është viktima, një djali i ri që është kërcënuar në zyrë nga mafia, i kanë kërcënuar dhe në shtëpi një grup tjetër familjen nga mafia, për të kryer veprimet që kanë qenë jashtë vullnetit të tij. Ai është viktimë e të gjithë kësaj historie. Kur të vënë pistoletën te koka, kur të merr peng, je i detyruar t’i shërbesh mafies. Ky është kodi i mafies.”- tha ai.