Prestigjozja britanike, Daily Mail, në një artikull të publikuar së fundmi ka zbuluar teknikat, që përdorin emigrantët ilegalë shqiptarë atje për t’i shpëtuar dëbimit nga Britania e Madhe.
Në shkrim thuhet se shqiptarët paguajnë deri në 5 mijë paund për t’u pajisur me raporte mjekësore false për t’i shpëtuar dëbimit. “Bandat” shqiptare në Britani bashkëpunojnë me kompani ligjore që paguajnë profesionistë mjekësorë për të ndihmuar në pengimin e dëbimit përmes raporteve false.
“Psikoterapistët dhe psikologët paguhen për të shkruar raporte që pretendojnë se shqiptarët, në veçanti, janë shumë të brishtë mendërisht për t’u intervistuar apo ndaluar nga Home Office, pra për tu dëbuar nga vendi”, shkruan Daily Mail.
Sipas një raporti sekret të Inteligjencës Ushtarake, në Angli, 40% e emigrantëve në kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian, janë nga Shqipëria.
Mësohet se rreth 1075 emigrantë kaluan me gomone 6 muajt e fundit, ndërsa vitin e kaluar ka qenë një shifër prej 757.