Endrit Shabani ka folur ditën e sotme në “Shqipëria Live”, në lidhje me diskutimet mbi mandati ne fituar nga koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet”, më 11 maj.
Zeqir Kordhinin, kandidat i kësaj force politike në zgjedhje, ditën e djeshme i dërgoi KQZ-së një shkresë, ku kërkonte kopje të dorëheqjes së tij nga mandati.
Për këtë, Shabani tha se Kordhoni është i zhgënjyer nga mënyra se si gjërat kanë shkuar, dhe për këtë fajësoi zvarritjen e KQZ, për të vendosur kush do e marrë mandatin. Ndër të tjera, Shabani tha se si Kordhoni, ka shumë persona të zhgënjyer, mes tyre edhe ai vetë.
“Ajo që ka rëndësi është se Zeqiri është aktivist i Nismës. Ka qenë numërues, vëzhgues dhe aktivist në zgjedhje. Është krijuar ideja sikur Zeqiri është bërë deputet por në atë listë, janë persona që kanë dhënë dorëheqjen. KQZ po e zvarrit këtë vendimmarrje. Zoti Kordhoni është i mërzitur sepse Lapaj ka bërë premtim që me një mandat nuk do hynte në Kuvend por tani e ka tërhequr. Nuk është i vetmi që është mërzitur por gjithsesi.
Zeqir Kordhoni nuk do e marrë mandatin dhe nuk ka synime ta marrë mandatin. Qëllimi këtu është të mësojmë nëse mandati do i takojë një kandidati të listës së hapur apo të mbyllur. Ne kërkojmë nga KQZ që mandati t’i kalojë listës së hapur. Tani mandatin e ka Ana Dajko, e afërme e Adriatik Lapajt. Ajo duhet të dorëhiqet dhe t’i kalojë Lapajt mandati. Pastaj e di ai vetë se çfarë bën.
Zeqiri është punëtor, invalid dhe ka sedër. Ai ndihet i përdorur dhe ka të drejtë të bëjë reagim. Por nuk ka si synim të marrë mandatin. Thelbi është a do i kalojë listës së hapur mandati. Këtë i kam kërkuar KQZ në një letër. Duhet të ndiqet precedenti.”- tha ai.
Sa i përket premtimit të Lapajt për të mos hyrë në Kuvend nëse fitonin një mandat, Shabani tha se është angazhim personal dhe i takon Lapajt të vendosë se si do paraqitet para publikut.
“Për mua rëndësi ka vetëm me çfarë sistemi do vijohet. Jemi përballë një klase politike që nuk i dilet dot. Nëse mandati nuk kalon tek lista e hapur, do duhet që në zgjedhjet e ardhshme t’i kthehemi sistemit të vjetër. Ky është zhgënjimi im. Duhet të çojmë skemën e listës së hapur deri në fund. Partitë e vjetra mund të kenë interesin të bëjnë lojëra politike.
Dje jam takuar me Lapajn dhe ne do përdorim të gjitha instrumentet ligjore që mandati të shkojë tek lista e hapur. Premtimi është një angazhim i hapur i tij dhe nuk ka të bëjë me ne. Është përgjegjësia e tij para publikut dhe votuesve.
Shumë kandidatë të listës së mbyllur apo të hapur janë ndjerë të zhgënjyer. Por kjo nuk justifikon asgjë. Ne kemi raportin tonë me votuesin dhe premtimi ka qenë të garojmë me listë të hapur. Gjithçka më pas po ndodh nga zvarritja e KQZ-së. Kanë kaluar 2 muaj dhe nuk kemi ende rezultati ne zyrtarizuar të zgjedhjeve.”-tha Shabani.