Akuza
Dritan Dajti lëshon një tjetër akuzë për policin Arjan Muça, duke thënë se ai është personi që ka ideuar vrasjen e sekretarit të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari. Në seancën e djeshme gjyqësore, Dajti tha se Arjan Muça së bashku me babanë e tij, Selim Muçën, kreu aktual i Komunitetit Mysliman, kanë pasur përfitime pronësie. Sali Tivari është ekzekutuar me armë zjarri më 13 janar të vitit 2003, në zyrën e tij, ndërkohë që ky krim nuk është zbardhur asnjëherë. Pas kësaj, Dajti ka akuzuar gjykatën dhe prokurorinë për manipulim e së vërtetës. Akuzat kanë ardhur pas kërkesës së përjashtimit të trupit gjykues, i cili rrëzoi kërkesën e Dajtit për vënien në dispozicion të procesverbalit, ku figurojnë armët pa leje të marra në dorëzim nga Arjan Muça. “Kërkoj përjashtimin e trupit gjykues, pasi ju po bëheni palë me prokurorinë duke manipuluar procesin tim. Ju po bëheni palë me Arjan Muçën dhe bandën e tij. Muça është autori i vrasjes së kreut të Komunitetit Mysliman dhe bashkë me babanë e tij janë përfitues”, ka reaguar Dajti. I pandehuri është ndërprerë nga relatori i seancës Idriz Mulkurti, i cili është shprehur se këto akuza janë jashtë objektit të gjykimit. I pandehuri ka vijuar të flasë duke i kërkuar gjykatës që të procedohet nëse po shpif dhe më pas ai është larguar nga salla e gjyqit. Seanca e radhës pritet që të zhvillohet sot në mesditë.