Në Kamëz është zbardhur dhe dokumentuar ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Babrrus, ku një 18-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh.
Sipas të dhënave hetimore, i riu është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me pronarin e biznesit dhe më pas ka qëlluar dy herë me armë automatike në drejtim të objektit.
Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në fasadën dhe ambientet e brendshme të servisit, pa të lënduar në njerëz.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë organizuar menjëherë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit, 18-vjeçari është lokalizuar rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe është vënë në pranga.
Gjatë kontrolleve në zonë është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit automatike e përdorur në ngjarje, së bashku me municion luftarak.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
