Një natë e trazuar është regjistruar në burgun e Pizës në Itali, ku dhjetëra të burgosur kundërshtuan autoritetet e institucionit dhe u izoluan për disa orë në një prej sektorëve të godinës. Mes personave të përfshirë raportohet se kishte edhe shtetas shqiptarë.
Tensionet nisën mbrëmjen e 30 shtatorit në repartin e dytë të seksionit gjyqësor. Rreth 40 të dënuar refuzuan të ktheheshin në qelitë e tyre dhe kërkuan të komunikonin drejtpërdrejt me drejtuesit e burgut dhe komandantin e policisë penitenciare.
Situata vazhdoi gjatë gjithë natës dhe u normalizua vetëm rreth orës 05:00 të mëngjesit, pas negociatave të zhvilluara nga efektivët e specializuar të policisë së burgjeve.
Shkak për protestën dyshohet se u bë zbulimi i disa pajisjeve elektronike brenda qelive. Të burgosurit pretenduan se kishin gjetur aparatura të fshehura përgjimi, të cilat sipas tyre përdoreshin për të monitoruar bisedat që zhvillonin mes tyre.
👥 Rivolta al carcere Don Bosco di Pisa: protesta scoppiata dopo il ritrovamento di microspie nelle celle.
Negoziatori da Roma sul posto, scontri con la polizia penitenziaria, ambulanze intervenute. Diretta TikTok dei detenuti da un cellulare non autorizzato. https://t.co/088AgzDqZE— Italia 24H Live 🔴 – Notizie dall’Italia (@Italia24HLive) October 1, 2026
Prania dhe funksioni i pajisjeve mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet, ndërsa raportohet se ato mund të kenë qenë të lidhura me veprimtari hetimore.
Përplasja nuk mbeti vetëm në nivel verbal. Gjatë orëve të tensionit raportohet se pati konfrontime mes disa prej të dënuarve dhe efektivëve. Në ambientet e institucionit u dërguan edhe ambulanca për shkak të incidenteve të regjistruara.
Një element i pazakontë ishte fakti se gjithçka u transmetua për një periudhë kohe drejtpërdrejt në TikTok nga një telefon celular brenda burgut.
Në pamjet e publikuara dëgjohen biseda dhe thirrje në gjuhën italiane dhe shqipe. Personat që shfaqen në transmetim pretendojnë se efektivët kishin ushtruar dhunë ndaj tyre dhe kishin përdorur shkopinj gome gjatë ndërhyrjes.
Ata kërkonin gjithashtu shpjegime për pajisjet e gjetura dhe kundërshtonin monitorimin e pretenduar të komunikimeve të tyre brenda qelive. Transmetimi në rrjetin social u ndërpre më vonë.
Pas disa orësh negociatash, protesta përfundoi dhe autoritetet nisën operacionin për rivendosjen e plotë të rendit në institucion.
Disa nga personat e identifikuar si të përfshirë në trazira janë marrë nën masa të tjera dhe janë transferuar, ndërsa zhvendosja e të burgosurve të tjerë pritet të vazhdojë.
Transferimet lidhen edhe me gjendjen e sektorit ku ndodhi protesta, pasi raportohet se gjatë trazirave janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ambientet e burgut.
Autoritetet italiane pritet të rindërtojnë dinamikën e plotë të ngjarjes, të përcaktojnë përgjegjësitë për dëmtimet dhe incidentet e ndodhura, si dhe të sqarojnë natyrën dhe funksionin e pajisjeve elektronike që të burgosurit pretendojnë se zbuluan në qelitë e tyre.
