Qeveria mendon se rezultati i luftës është barazim, asnjë palë nuk mund të fitojë
Zëvendëskryeministri i Sirisë bëri të ditur se qeveria e tij mund të kërkojë një armëpushim të mundshëm me rebelët në luftën civile të këtij vendi, pas dy vjetësh e gjysmë. Komentet mbërrijnë ndërsa Damasku ngadalë përkulet përballë vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare.
Qadri Jamil tregoi vullnetin e Damaskut për të ndaluar luftimet në rast se zhvillohen bisedimet e shumëpritura për paqe. Përpjekje më të hershme për të ulur në tryezën e bisedimeve presidentin Bashar al-Assad dhe opozitën e Sirisë në Gjenevë kanë dështuar për shkak të parakushteve të vendosura nga palët.
“As opozita e armatosur dhe as regjimi nuk janë në gjendje të mposhtin palën tjetër”, tha zëvendëskryeministri Jamil për gazetën britanike “The Guardian”.
Vetëm pak vite më parë, presidenti Bashar al-Assad e kishte Sirinë nën kontroll të padiskutueshëm. Shumë vende perëndimore bashkëpunuan me regjimin e tij dhe nxitën marrëdhëniet e biznesit me këtë vend.
Konflikti i armatosur ka lënë 100 mijë të vdekur në Siri dhe ka përzënë mbi 2 milionë të tjerë në vendet fqinje, Turqi, Liban, Jordani, Irak, Izrael e Egjipt. Shumica e refugjatëve janë larguar që kur luftimet u ashpërsuan në shtator 2012.
Një sulm me armë kimike në Damask më 21 gusht solli kërcënimet amerikane për një ndërhyrje ushtarake. Gjithsesi, një propozim i minutës së fundit nga Rusia bëri që Assad të heqë dorë nga armët kimike në këmbim të heqjes së kërcënimit të bombardimeve.
Assad ka premtuar se do të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara për shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike ndërsa disa udhëheqës mbeten skeptikë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, bëri thirrje për një rezolutë detyruese mbi Sirinë.
Zyrtari i qeverisë siriane i tha “The Guardian” se qeveria e tij do të kërkojë një zgjidhje për konfliktin e armatosur duke filluar me armëpushim dhe pastaj me bisedime paqeje.
Po dje, edhe Irani bëri të ditur se mund të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin e Sirisë, si pjesë e përpjekjeve të presidentit të ri Rouhani për një politikë më të hapur në skenën ndërkombëtare.
Irani ka qenë gjerësisht larg marrëdhënieve normale ndërkombëtare që nga revolucioni i vitit 1979, kur u prishën marrëdhëniet me SHBA-në ndërsa mbetën të dobëta marrëdhëniet me vendet e tjera.