Nobelisti i letërsisë mbështet komedianin politikan për shpëtimin e Italisë


Dario-Fo-and-Beppe-Grillo-010Çfarë e bën Beppe Grillon kaq popullor? Pasi një e katërta e italianëve votuan për kryengritjen e tij popullore javën e kaluar, ai është bërë një shqetësim për klasën politike të Italisë dhe për të gjithë Europën në tërësi. Sipas dramaturgut më të famshëm të vendit dhe mbështetësit të Grillos, nobelistit Dario Fo, përgjigjja është e thjeshtë.


“Grillo është si një personazh në një nga komeditë e mia”, thotë Dario Fo, satirat e të cilit mbi jetën mesjetare e moderne i kanë dhënë çmimin “Nobel” dhe e kanë mbajtur në skenat e Italisë gjatë së gjithë karrierës së tij 50-vjeçare. “Ai është nga shkolla e dëfryesve të mesjetës që luanin me paradoksin dhe absurdin”, thotë Fo.


Fo, 86 vjeç, është më i njohur për veprën “Vdekja Aksidentale e Një Anarkisti”, e frymëzuar nga vdekja e një njeriu nën arrestin e policisë më 1969. Ai është një hero i së majtës në Itali dhe mbështeti Grillon publikisht këtë vit, duke bashkëshkruar një libër me të për lëvizjen e tij politike, si dhe duke i dhënë mbështetje në një miting të madh në sheshin “Duomo” të Milanos disa ditë para zgjedhjeve.


Në këmbim, Grillo, 64 vjeç, ka propozuar që Fo të kandidohet për president të Italisë, një ofertë që shkrimtari e ka refuzuar. Kjo mbështetje e profilit të lartë kontribuoi në një fushatë që ka arritur një sukses trillues. Mbi 8.7 milionë italianë votuan këtë lëvizje dhe ajo tashmë është partia e vetme më e madhe në Parlament. Grillo është forca e tretë përcaktuese tashmë.


Pasi ndërtoi një grup mbështetësish përmes blogut të vet, ku denoncoi korrupsionin politik, kritikoi masat e kursimit të Mario Montit dhe e cilësoi Berluskonin “një tregtar pështyme”, Grillo arriti suksesin kur shtresa e profesionistëve filloi ta shohë atë si mënyra më e mirë për të shprehur distancën e krijuar mes popullit dhe klasës politike bllokuese.


Tashmë diskutimi është se çfarë do të bëjë Grillo me deputetët e tij. Disa sugjerojnë që ai të bisedojë me të majtën për të krijuar një qeveri. Grillo nuk jep shumë indicie se çfarë mund të ndodhë dhe frika është se Italia do të shkojë në zgjedhje të ardhshme shumë shpejt.


Për Fo, çelësi i të kuptuarit të Grillos nuk është Italia e ditëve tona por ajo e shekullit të trembëdhjetë, kur tregimtarë të njohur si Giullari, bridhnin nëpër Itali duke dëfryer turmat nëpër sheshe me tregimet e tyre të lashta të ndërthurura me sulme të nënkuptuara satirike mbi pushtetarët e zonës.


Grillo fitoi famë duke miksuar komeditë me referenca për skandale politike në qytetet ku ai jepte shfaqje, njësoj si komedianët e mesjetës.


“Ai është nga tradita e tregimtarit të mençur, dikujt që e di se si mund të përdorë fantazinë surreale, që mund të kthejë përmbys situatën përreth, i cili ka fjalën e duhur për momentin e duhur, që mund të fiksojë njerëzit kur flet, edhe nëse po bie shi apo dëborë”, shpjegon Fo.


Në një takim elektoral nën shi të dendur në Viterbo të Lacios, Grillo bërtiti: “Mbyllini çadrat, dua t’ju shoh në fytyrë”. Turma u bind para kërkesës së komedianit.


Edhe forumet me bazë në internet ku Grillo dhe mbështetësit e tij argumentojnë mbi politikat, i kanë rrënjët në Mesjetë, argumenton Fo. Ai thotë: “Ne kemi pasur këshilla qyteti jashtëzakonisht demokratike në Italinë e Mesjetës, të cilat dinin të vlerësonin të mirat e të punuarit bashkë dhe tashmë, shumë shekuj më pas, kjo frymë rikthehet”, thotë ai.


Fokusimi i Grillos në internet pasoi përzënien e tij nga televizioni shtetëror i Italisë në vitet 1980, pasi ai bëri humor me politikanët socialistë të korruptuar, disa vite para se shumica e tyre të mbërtheheshin më në fund nga drejtësia nga procesi “Duart e pastra”.


Ndalimi i daljeve të tij në televizor është pjesë e një tradite krenare, thotë Fo. “Asgjë nuk ka ndryshuar që nga koha kur Perandori Frederik II nxori një urdhër në shekullin e 13 kundër tregimtarëve shëtitës që kritikonin pushtetarët”.


Vetë Fo u ndalua të dalë në televizionin publik në vitin 1951 pasi pati përshtatur tregime biblike për satirë politike, në një seri përplasjesh me fashistët, komunistët dhe Vatikanin ndërsa grupi i tij teatral radikal sfidonte tabutë.


Në vitin 2004, Fo u padit në gjykatë nga një bashkëpunëtor i Berluskonit, pasi ai vuri në skenë një satirë që tallej me staturën e vogël të Berluskonit. “Çdo herë që prek ata që kanë pushtet mbi media, ata përpiqen të të ndalojnë”, thotë ai.


Si një i ri në Milano gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fo ndihmoi të atin – një luftëtar rezistence – të kontrabandojë një të burgosur lufte britanik që ishte arratisur, të shkonte në Zvicrën neutrale. Këto memorie iu rikthyen atij, kur u ftua në skenë nga Grillo në mitingun e Milanos.


“Fundi i luftës ka qenë hera e fundit që unë pashë shesin të mbushur me kaq shumë gëzim, me njerëz që po ndryshojnë mënyrën e tyre të të menduarit mbi politikën”, thotë ai.


Fo mendon se ka paralelizma mes lëvizjes “Pesë Yjet” të Grillos dhe sulmet e tyre mbi klasën politike të privilegjuar dhe aktivistët që punuan vonë në vitet 1960. “Në atë kohë, njerëzit po kuptonin rëndësinë e kulturës dhe shkollave dhe një gjeneratë këngëtarësh dhe poetësh këngësh të Italisë i dhanë zë protestës”.


Dallimi është se ata artistë nuk arritën kurrë të bëhen forcë politike bllokuese në Itali siç ka arritur Grillo me 161 deputetët dhe senatorët e lëvizjes së tij. Tashmë, pas triumfit në zgjedhje, Grillo përballet me sfidat e politikës reale.


Sfida e parë erdhi javën e kaluar kur mijëra mbështetës e nxitën atë të krijojë një qeveri funksionale me udhëheqësin e qendrës së majtë Bersani, i cili ka nevojë për votat e tij në Senat për të krijuar një mazhorancë.


“Nuk është e lehtë për shkak se Partia Demokratike e trajtoi Grillon pa respekt, e quajti atë fashist e bufon, por tashmë ata po i ofrojnë një dorë”, thotë Fo, i cili aktivisht po nxit Grillon të negociojë, gjë që nënkupton se dramaturgu dhe komiku po kapin titujt e lajmeve politike.


Në Sicili, ku Partia Demokratike drejton këshillin rajonal, por lëvizja e Grillos është partia më e madhe, të dy kanë krijuar një aleancë të heshtur. “Ky është modeli dhe po funksionon”, shpjegon Fo.


Rreziku i vërtetë për Grillon, paralajmëron Fo, është që të gënjehet me lajka. Duke u kthyer sërish te historia, ai citon Cola Di Rienzo, djalin karizmatik të një pronari taverne në Romën e shekullit të katërmbëdhjetë. Ai i joshi romanët me karizmën e tij dhe u bë udhëheqës i qytetit, por synoi tepër lart dhe vuri për objektiv që të rrëzonte familjet fisnike të korruptuara, ndërsa pa se mbështetja për të u pakësua me shpejtësi dhe atë vetë e vrau një turmë ndërsa po përpiqej të arratisej.


Italia do të mbledhë Parlamentin më 15 mars dhe Presidenti Giorgio Napolitano pritet t’i kërkojë udhëheqësit të qendrës së majtë Pier Luigi Bersani të krijojë një qeveri. Më 15 prill, Parlamenti duhet të zgjedhë një president të ri.