Pas pezullimit të programit të lotarisë amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar ndalimin e dhënies së vizave për emigrantët nga Shqipëria duke nisur nga data 21 janar.

Sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit, i siguruar fillimisht nga Fox News Digital, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza në përputhje me legjislacionin ekzistues, ndërsa po kryhet një rishikim i plotë i procedurave të kontrollit dhe verifikimit të aplikantëve.

Pezullimi do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e tij, pasi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e rivlerësimit të procesit të vizave të emigracionit nga Departamenti i Shtetit.

Në nëntor të vitit 2025, DASH u kishte dërguar përfaqësive diplomatike amerikane në mbarë botën një udhëzim të ri për zbatimin e rregullave më të rrepta të kontrollit, bazuar në dispozitën e njohur si “public charge” të ligjit amerikan të emigracionit. Kjo dispozitë u kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se mund të bëhen barrë për sistemin e ndihmës publike në Shtetet e Bashkuara.

Në vlerësimin e aplikantëve do të merren parasysh disa faktorë, përfshirë gjendjen shëndetësore, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, situatën financiare dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë. Sipas këtyre kritereve, aplikantët më të moshuar, mbipeshë, ata që kanë përfituar më parë ndihmë financiare shtetërore apo kanë qenë të institucionalizuar, mund të refuzohen.

“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”, deklaroi zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott.

Sipas Fox News, Shqipëria është një nga 75 vendet për të cilat do të pezullohet shqyrtimi i vizave të emigracionit duke nisur nga 21 janari.

Lista e vendeve për të cilat zbatohet pezullimi përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnje-Hercegovinën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambian, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Saint Kitts dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadines, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguajin, Uzbekistanin dhe Jemenin.