Një vajzë egjiptiane rrëfen dëshirën e saj: Më fal për gabimet ortografike, por nuk kam libra!
E di shumë mirë që këtë muaj do të kesh shumë letra si kjo e imja nga fëmijë anë e mbanë botës, por të lutem lexoje, sepse kjo nuk është vetëm e një fëmije, por e shumë fëmijëve të tjerë si unë. E di që kjo letër do të ketë shumë gabime drejtshkrimore, por babagjysh të lutem, më beso, nuk është faji im! Kam shumë dëshirë të shkruaj bukur dhe pa gabime, por nuk kam mundësi. Jo se këtu në vendin tim nuk ka shkolla, as se nuk ka mësues, por nuk ka libra. Më fal se prapë bëra gabim, libra ka, por nuk ka për mua … dhe për disa si unë. Pse o babagjysh nuk ka për ne?! A nuk kemi lindur edhe ne njësoj si të tjerët dhe duhet të veçohemi pikërisht në këtë moshë, kur kemi nevojë të arsimohemi dhe të ecim përpara. Se kështu dëgjoj përditë në televizor nga goja e shumë xhaxhave, që ne duhet të ecim përpara, por si të eci unë si të zhvillohem unë pa shkollë e pa libra?! Prindërit tanë na ushqejnë me lotët e tyre, por ato nuk mjaftojnë për të blerë libra. Prandaj, babagjysh po të shkruaj ty, sepse jo nuk dua lodra, edhe pse shumë i ëndërroj si për shembull ato që shoh çdo ditë nëpër vitrinat e dyqaneve. Eh, sa të bukura janë ato … por mua prapë nuk ma mbushin zemrën, sepse dua shkollën e librat, shokët dhe shoqet e klasës. Dua një të ardhme të bardhë. Por, nuk e di si dhe kush do të ma mundësojë këtë! Nejse babagjysh, nëse e lexon letrën time të lutem të ma plotësosh këtë dëshirë, që të gjithë fëmijët këtu në Shqipëri të shkojnë në shkollë me libra, duke mos u diferencuar nga të tjerët. Dua që të gjithë të kemi të drejta të barabarta të paktën për të ëndërruar. Po e mbyll letrën time duke shpresuar që vitin tjetër të na mundësosh libra shkollorë që asnjë fëmijë të mos rrijë jashtë dyerve të shkollës, duke menduar që është i përjashtuar nga bankat, nga shokët e mësuesit. Dëshiroj që ti shoh të lumtur, të paktën t’i mundësohet ëndrra për një jetë sa më të mirë.
P.S. Më fal babagjysh për gabimet, por të premtoj që kur të kem librat në duar do të mësoj shumë më shumë dhe letra tjetër që do të dërgoj, nuk do të ketë asnjë gabim.
Të përqafoj …
Gentiana Sejrani