Deputetja Monika Kryemadhi ka deklaruar se do të mbështesë ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si një nga figurat kyçe të stabilizimit të jetës politike në Shqipëri. Megjithëse nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë së Lirisë, Kryemadhi bëri thirrje për mbështetje ndaj Metës, duke i kërkuar mbështetësve të saj të votojnë për të.
Ajo theksoi se marrëdhëniet e saj personale me Ilir Metën janë të mbyllura, por ka respekt politik ndaj tij. Kryemadhi shtoi se nuk ka inate personale, duke shpjeguar se nuk do të përdorë politikën për të shprehur zemërim.
Monika Kryemadhi: Do punoj për opozitën si një nga themelueset e LSI-së dhe në listën e hapur do votoj për Ilir Metën si një nga njerëzit kryesorë të stabilizimit dhe jetës politike në Shqipëri.
Braimllari nuk është konsultuar me mua për të ikur në PS. Unë kam pasur në plan të kandidoj e pavarur, por duke ditur logjikën e Metës, unë në shtator jam tërhequr për të mos kandiduar. Metës i duhen mbi 30 mijë vota për të dalë deputet. U bëj thirrje të gjithë miqve të mi të shkojnë dhe të votojnë Metën.
Mund të pi kafe me Metën për të diskutuar për fëmijët, por unë marrëdhëniet e mia personale me të i kam të përfunduara. Unë nuk jam si gratë e tjera, nuk e nxjerr në politikë inatin. Nuk kam dashuri shpirtërore për Metën, por kam respekt politik.
