Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me emigrantët shqiptarë të Greqisë në Athinë.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke thënë se Partia Socialiste është e vetmja garanci. Sipas kreut të qeverisë, opozita nuk donte ta votonte as vettingun, as SPAK dhe madje u mbyllën në çadër. Ai ironizoi edhe partitë e vogla duke thënë se kanë ndërruar vetëm fytyrat.

Rama nuk kurseu as Lulzim Bashën, të cili ne cilësoi si “dashuria e tij”.

“Tani dëgjoni se të gjithë këta me bufin e kënetës në krye dhe me dashurinë time Lulin, të gjithë këta ishin armiq, jo kundërshtarë të betuar të reformës në drejtësi. Nuk donin ta votonin reformë, vettingun e SPAK dhe u mbyllën të tërë në çadër dhe kërcënuan se nuk do të hyjnë as një zgjedhje. Sot shpresa e tyre e vetme, e dëshpëruar dhe e mjerë është që SPAK dhe gjykata speciale do të shkatërrojë PS dhe më në fund do t’u vijë dita e tyre, ndërkohë që ajo që ata nuk kuptojnë, bashkë me shitësit e vegjël të qilimave, që janë të gjithë vegla dhe që të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e tyre. I patë edhe futën baballarë, krushq e teze në lista. Nuk kuptojnë një gjë që ne nuk jemi në një punë por në një mision, e që ta bëjmë Shqipërinë njëherë e mirë pjesë të familjes evropiane. E dimë shumë mirë që për të bërë këtë barazia e ligjit është kusht, ashtu sikundër mund të mos jemi shumë të mençur por s’besoj se na merr njeri për budallenj sa t’i hynim detit në këmbë dhe të mos e dinim se duke i dorëzuar shpatën, nuk parashikonim që ajo shpatë do të binte edhe  mbi kokat tona, e disave nga ne. Ne e dinim këtë. Nuk jemi penduar për këtë, por jemi krenarë për këtë.”– tha Rama.