Trajneri thekson se “dua maksimumin në këto dy ndeshje, por të mos bëjmë llogari”


Altin Manallari


Vetëm katër ditë na ndajnë nga ndeshja Shqipëri-Islandë në Tiranë dhe për Kombëtaren kuqezi ka nisur puna. Objektivi është trepikëshi. Për këtë, trajneri Xhani De Biazi këmbbëngul se duhet ta bëjmë pa menduar për Slloveninë, me të cilën do të ndeshemi më 16 tetor në “Qemal Stafa”. Sipas teknikut italian, vetëm duke menduar i mirë ndeshjet një e nga një do t’i afrohemi realizimit të ëndrrës sonë, kualifikimit për në Botërorin 2014. “Është në natyrën e trajnerit të kërkojë maksimumin për çdo ndeshje nga skuadra e tij, ka theksuar De Biazi. Nuk kënaqemi me 4 pikë, sepse duam gjithnjë maksimumin. Të njëjtën gjë kërkoj edhe unë nga dy ndeshjet e radhës, që do t’i luajmë në fushën tonë. Sidoqoftë, këmbëngul se me rëndësi është fillimisht fitorja me Islandën. Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi kundërshtari ka ekip të fortë, ka lojtarë cilësorë dhe është më mirë fizikisht sesa ne, pasi ka kaluar 18 javë kampionat. E ndoqa në ndeshjet eliminatore të fituar ndaj Norvegjisë, dhe atë të humbur ndaj Qipros. Në të dyja luajti shumë mirë. Ndaj Qipros, në 30 minutat e para bëri gjëra të jashtëzakonshme dhe duhej të kishte kaluar në epërsi. Pasi pësoi golin, reagoi dhe goditi shtyllën. Ndaj duhet t’i bëjmë mirë llogaritë”. Trajneri kuqezi duket se ende nuk është tërësisht i kënaqur nga ekipi, ndërsa flet për lojtarët që po ndjek, por dhe për kriteret që duhen plotësuar. “Ne kemi nevojë të punojmë shumë për t’u përmirësuar, qoftë në aspektin individual, ashtu edhe në atë të lojës, sqaron më tej tekniku italian i Shqipërisë. Ne duhet të jemi shumë të motivuar, por edhe të besojmë te vetja. Duhet të besojmë shumë. Në Zvicër ishin dy gabime që na hoqën nga dora një rezultat që mund të kishte qenë pozitiv. Po të besojmë më shumë, jemi më pranë rezultatit. Të mos harrojmë se na janë larguar disa lojtarë nga edicioni i kaluar dhe lojtarët e rinj kanë nevojë të përshtaten me njëri-tjetrin. Në ekip kthehet Debatik Curri, një lojtar me shumë përvojë dhe shumë i motivuar. Ndjek me kujdes Balën që shënoi në Çeki, Berishën i cili luajti ndeshjen e parë në Australi dhe Kapllanin që po shënon mjaft gola në Gjermani. Por, duhet të them se ka disa kritere në lidhje me lojtarët që thirren në ekipin përfaqësues”. Fillimi optimist i eliminatoreve të Botërorit 2014 ka bërë që shumë të besojnë te realizimi i ëndrrës. Pjesë e kësaj ëndrre është edhe De Biazi. “Jemi duke punuar për të ndërtuar një projekt, duke kërkuar arritjen e një ëndrre, deklaroi trajneri kuqezi. Jemi në një periudhë shumë të veçantë, pasi shumë lojtarë që ishin pjesë e skuadrës në eliminatoret e Europianit nuk janë më pjesë e këtij grupi. Jam i përqendruar shumë në përmirësimin e grupit të lojtarëve që kemi, kjo e parë si nga cilësia e futbollistëve, ashtu dhe në organizimin e lojës. Le të themi se, kemi përpara një rrugë të gjatë për të përshkuar. Jemi vetëm në ndeshjen e tretë nga dhjetë të tilla për të arritur kualifikimin në finalet e Botërorit”. Por ai vazhdon të këmbëngulë, nuk duhet të bëjmë llogari, por të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. “Jemi në një grup shumë të veçantë, tepër të vështirë. Kemi skuadra që në renditjen e FIFA-s janë shumë përpara nesh. Jemi këtu për të luajtur, por e përsëris, në 90 minuta lojë gjëja më e rëndësishme është topi, duhet përqendrim maksimal, dëshirë dhe organizim. Kështu që, duhet të jemi më të përgatitur se kundërshtarët tanë”, përfundoi tekniku De bizi prononcimin e tij.


 


Deklaratat


Kundërshtari – “Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi kundërshtari ka ekip të fortë, ka lojtarë cilësorë dhe është më mirë fizikisht sesa ne, pasi ka kaluar 18 javë kampionat”


Objektivi – “Është më mirë t’i marrim ndeshjet një e nga një. Le ta kalojmë një herë ndeshjen e së premtes me Islandën dhe më pas të përqendrohemi plotësisht tek ajo kundër Sllovenisë”


Fantazisti – “Nuk ka rëndësi nëse e ke një plejmejkër, apo jo. Varet nga strategjia që ndërton. Mjafton të kesh dy lojtarë që dinë të shpërndajnë apo të vertikalizojnë topat”