Po mbahet në Tiranë Samiti i Diasporës, në ditën e tij të dytë të zhvillimeve.
Tema e parë për diskutim këtë të martë, lidhej me “demokracinë përfaqësuese në hapësirën shqiptare nga vota te përfaqësimi institucional” ku nuk munguan debatet mes të ftuarve dhe panelistëve.
Eva Baçi, një juriste e cila jeton në Bolonjë prej 25 vitesh, u shpreh se pavarësisht dëshirës së emigrantëve për tu kthyer në vendlindje, mungojnë hapësirat reale për përfshirje.
Ajo iu drejtua socialistit Taulant Balla duke i thënë se “je i pari që je shumë larg realitetit”.
“Unë jam Eva Baçi. Vij nga Bolonja. Kam ikur që studente, pastaj mbarova dhe ngela atje. Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim gjithmonë një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën.
Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narrativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrave, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë, por ne aktorët kryeso0rë nuk kemi të drejtën e fjalës. Kjo është një gjë.
Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Si unë, edhe shumë të tjerë këtu që vijmë nga Bolonja, kemi kërkuar shumë herë kontakte, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për vendin tim dhe jam në vendin tim, sepse kam investuar unë për përgatitjen time, jo Shqipëria. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët. Ju nuk jeni afër me ne. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panele e ndara nuk janë mirë. Të gjithë ne, aktorët kryesorë duhet të flasim, të sjellim problemet, jo të vijmë këtu dhe të dëgjojmë politikanët. Ju nuk e keni idenë çfarë do të thotë sakrifica. Çfarë do të thotë të mbarosh shkollën andej, kur punonim 14 orë dhe natën shkonim në biblioteka për të lexuar pa asnjë përkrahje dhe ndihmë.
Hapni dyert sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. Zoti Taulant Balla, je i pari që je shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por në histori duhet të lesh një emër”, tha ajo.
