Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Durrësit është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa jashtë godinës vijoi protesta e banorëve të prekur nga projekti TID.
Në mbështetje të protestuesve ishin edhe banorë nga zona e Baks-Rrjollit. Pjesë e mbledhjes ishte edhe njëri nga dy këshilltarët e përjashtuar nga Partia Demokratike, Dritan Burgija, i cili pas përfundimit të saj iu bashkua protestuesve së bashku me këshilltarin demokrat Ardian Muka.
Gjatë diskutimeve, Muka kërkoi që përfaqësues të banorëve të lejoheshin të merrnin pjesë në mbledhje për të paraqitur shqetësimet e tyre, por kjo kërkesë nuk u pranua.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Denisa Luarasi, sqaroi se përgjigjet për çështjet e ngritura do të publikohen edhe online.
Debatet u fokusuan kryesisht te rritja e pagave për administratën dhe ndërmarrjet bashkiake. Opozita e kundërshtoi këtë nismë, duke e cilësuar të pajustifikuar, veçanërisht për drejtuesit e bashkisë dhe kryebashkiaken Emiriana Sako, ndërsa u shpreh pro rritjes së pagave për arsimtarët, stafet e kopshteve, policinë bashkiake dhe administratën e nivelit të ulët.
Nga ana tjetër, u ngritën kritika për mungesë përmirësimi në performancën e administratës.
Në mbledhje u miratua gjithashtu rialokimi i rreth 714 milionë lekëve nga fondet e rindërtimit për vitin 2026, ndërkohë që u theksuan shqetësimet për vonesat në këtë proces.
Nënkryetari Gentian Kallmi deklaroi se shpërndarja e banesave vijon dhe se shumica e familjeve tashmë kanë marrë çelësat e apartamenteve në lagjen e re në Spitallë.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash, mes një klime të tensionuar dhe debatesh të vazhdueshme.
