Në Debatin e Hapur të Këshillit të Sigurimit për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka bërë një apel të fortë për të adresuar hendekun mes angazhimeve globale dhe zbatimit aktual të kësaj agjende, veçanërisht në kontekstin shqetësues të grave në zonat e konfliktit.

Hasani theksoi rëndësinë e investimeve në burime financiare për mbështetje të grave që veprojnë në këto zona të prekura nga konflikti. Ai propozoi që të vendosen kuota për pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe theksoi nevojën për të përdorur teknologjitë e reja për të forcuar zërat e grave. Sipas tij, ky investim është thelbësor jo vetëm për arritjen e barazisë gjinore, por gjithashtu si një mënyrë për të fuqizuar gratë si katalizatorë të paqes.

“Investimi në axhendën e ‘Grave, Paqes dhe Sigurisë’ është një prioritet për politikën e jashtme shqiptare,” tha Hasani, duke theksuar kontributin e vendit në Këshillin e Sigurimit gjatë dy viteve të fundit. Shqipëria ka integruar buxhetimin e barazimit gjinor në nivel qendror dhe lokal, duke hartuar aktualisht Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), i cili do të forcojë më tej angazhimin e saj për politikat e fuqizimit të grave.

Në prag të 25 vjetorit të rezolutës historike 1325 të OKB-së, Shqipëria mbështet rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm që një e tretë e pjesëmarrësve në proceset e ndërmjetësimit dhe paqes të jenë gra, me qëllim përfundimtar për arritjen e barazisë gjinore.

Ministri Hasani po qëndron në Nju Jork, ku po merr pjesë në takime të rëndësishme në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të avancuar politikat që promovojnë rolin e grave në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.