Zëvendësministri i Brendshëm, Oltion Muzaka, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Top Story” me Grida Dumën u shpreh se qasja e policisë gjatë protestës së këtyre katër ditëve është ‘mbrojtja e njeriut, qoftë dhe nga vetvetja’.
“Nuk duhet harruar që është njeriu i parë që duhet të mbrohet, qoftë dhe nga vetvetja. Kjo ka qenë edhe qasja e policisë. Ka patur dhe minorenë ku me kazma dhe lëndë plasëse, ndoshta kanë lënduar dhe bashkëmoshatarët e tyre”, u shpreh Muzaka.
Teksa në ekran u shfaqën pamjet e policëve që dhunojnë protestuesit, Grida Duma e pyeti zëvendësministrin e Brendshëm se si mund të shpjegohet kjo dhunë.
“Jemi një shtet ligjor qe punon në dy drejtime. Protestuesit e dhunshëm do të hetohen nga policia, ashtu dhe policët. Vetëpërmbajta ka qenë kryefjala. Kemi pamje dhe video që tregojnë sjellje të ndryshme, ne do i hetojmë”, u shpreh Muzaka.
Këtu ndërhyri këngëtari i njohur, Luiz Ejlli, i cili i tha:
“Ju thatë se policia ka për detyrë me neutralizuar njerëzit me kazma, por nga pamjet shohim që e rrëzoi, po pastaj pse i ra? 20 policë, tjetri në tokë, duke e bërë me turne. Është çnjerëzore. Normale që do të neutralizohet ai që dhunon policin, po ai tjetri është pa ndjenja. 11 fëmijë janë te Trauma”.
Më pas Luizi e pyeti Muzakën se ‘kush janë ata që gjuajnë?’ dhe ai i përgjigjet duke i thënë se policët në fjalë janë pezulluar.
Pjesë nga debati:
Luiz Ejlli: Kush janë ata që gjuajnë?
Oltion Muzaka: Janë policë që janë pezulluar. Edhe policët janë bijë dhe bija të dikujt. Janë ditë të vështira për të gjithë.
Luiz Ejlli: Është dhe një video tjetër te Piramida.
Oltion Muzaka: Të dyja rastet janë identifikuar dhe janë marrë masa të menjëhershme. Kryefjala jonë ka qenë vetëkontrolli.
Top Channel
