Këshilli bashkiak i Korçës ka miratuar buxhetin vjetor për vitin 2025 me 25 vota pro, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim. Buxheti i Bashkisë Korçë për vitin 2025 do të arrijë në 2,470,018 mijë lekë, nga të cilat 46,9% do të shpenzohen për paga, 40,7% për shpenzime operative dhe rreth 12% për investime.

Kreu i bashkisë së Korçës ka theksuar se ky buxhet fokusohet në katër shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik: turizmin, bujqësinë, teknologjinë dhe edukimin.

Megjithatë, mbledhja e këshillit ka shpërthyer në debate të forta dhe kundërshtime nga ana e këshilltarëve të opozitës, të cilët e konsideruan këtë buxhet si të paqëndrueshëm dhe të orientuar politikisht. Ata ngritën dyshime për parashikimin e të ardhurave për vitin 2025 dhe për mënyrën e shpenzimit të fondeve, duke paralajmëruar rrezik për realizimin e investimeve të premtuara.

Debatet janë shoqëruar me akuza të ndërsjella mes këshilltarëve të maxhorancës dhe opozitës, të cilët pretenduan se çdo diskutim kishte një nëntekst politik, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë mbledhjes, u dakordësuan vetëm dy ndryshime: dyfishimi i fondit për kafshët e rrugës dhe rishikimi i një projekti artistik.