Deputetja e re socialiste Marjana Koceku ka zgjedhur me vetëdije të flas në dialektin geg në Parlament, ndonëse administrata e Kuvendit i zbardh fjalimet e saj në gjuhën standard si detyrim ligjor.

Në përgjigje virtuale ndaj kritikave, Marjana këmbëngul në respektimin e dialektit duke e konsideruar “gegnishten standardin e saj”. Por gjuhëtarja Mimoza Kore vlerëson se kjo filozofi mendimi nëse 140 deputetë nuk do të flisnin gjuhën e unifikuar, rrezikon të sjell anarki.

“Përderisa standardi është gjuha e institucioneve shtetërore, e shkencës e shkollës, padyshim që Parlamenti vjen i pari që është institucioni më i lartë i shtetit. Standardi këtë qëllim ka që deputetin ta marr vesh edhe shqiptari në Konispol edhe ai në Shkodër apo në Tropojë. Edhe ku më shumë se kurrë deputetit i duhet të flasë me masën. Ai nuk mund të flas vetëm me 50 familjet e krahinës së vetë. Edhe administrata e ka të qartë që duhet në gjuhën standarde në mënyrë që fjala e deputetit të shkojë te kushdo”, u shpreh gjuhëtarja Mimoza Kore.

Gjuhëtarja cilëson me rëndësi dialektet si bazë të standardit, por arsyeton se dialekti në Parlament është i gabuar dhe shkel edhe etikën parlamentare. Ndaj kërkon marrjen e masave.

“Ekziston një konflikt i brendshëm socio-gjuhësor. Nga njëra anë dëshirojmë të flasim me gjuhën që jemi rritur në familje apo në krahinën tonë. Por nga ana tjetër kemi detyrimin ndaj gjuhës shqipe, e cila ashtu si popujt e tjerë të Europës ka krijuar gjuhën standarde. Forcat politike ku janë këta persona duhet të tërheqin vërejtje, apo edhe kryesia e parlamentit. Rregullorja e etikës nuk është vetëm të ndalojë sharjet, fyerjet por edhe mënyrën se si e përdor gjuhën shqipe”, u shpreh Kore.

Në analizën e saj, gjuhëtarja Mimoza Kore vë theksin edhe në zbatimin e stilit zyrtar të komunikimit.

“Është një ligj universal gjuhësor që thotë se ka shumë rëndësi si flet, me kë flet , çfarë flet dhe ku flet. Nuk mund të flasësh si flet në shtëpi të flasësh edhe në parlament. Deputetët tanë e nisin me zonja/ zotërinj, të nderuar… dhe pastaj rrëshqasin në stile të tjera që i ngjajnë ndonjëherë epitete të rrugës, që nuk i takojnë stilit zyrtar dhe kjo është e papranueshme”, u shpreh gjuhëtarja.

Top Channel