Hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk rrezikon sovranitetin e Shqipërisë, deklaron ministri i Jashtëm Ferit Hoxha. Pas debatit për dakordësinë mes dy palëve Serbi Shqipëri, ministri flet në një intervistë për Top Channel, pa u tërhequr nga kjo iniciativë diplomatike. Ai thotë se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.

“Hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare”, u shpreh ministri.

Kërkesa e Shqipërisë për një përfaqësim në Bujanoc ka qenë një objektiv i hershëm i politikës së jashtme. Për ministrin Hoxha, ky angazhim me Serbinë nuk ndryshon kurrsesi qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, shprehet Hoxha.

Kjo dakordësi do të arrinte që shteti të ishte më afër shqiptarëve jashtë kufijve, deklaron ministri duke vlerësuar me rëndësi në këtë debat pyetjen: çfarë përfiton Shqipëria me një konsullatë në Luginën e Preshevës. Debati sipas ministrit të jashtëm është zhvilluar në mënyrë absurde në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.

“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, shton më tej ai.

Ministri Hoxha shpjegon se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë. Me këtë argument ai kundërshton kritikat që thonë se shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës janë të barabartë.

“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, thekson ministri Ferit Hoxha.

Reciprociteti thotë ministri Hoxha është një parim themelor në diplomaci por nuk nënkupton barazi automatike.

Intervista e plotë

Pyetje: Zoti Ministër, ideja e një konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Luginën e Preshevës është përfolur shumë kohët e fundit. A është kjo një ide e improvizuar, produkt i një bisede të fundit ndërmjet dy ministrave?

Përgjigje: Sinqerisht, për mua polemika që u krijua ishte si një rrufe në qiell të hapur. Megjithatë, duke parë se nga erdhën reagimet, duke përjashtuar ndonjë shprehje të sinqertë meraku, nuk mund të them se u habita. Prej disa kohësh është krijuar një kor i gatshëm të monitorojë çdo lëvizje të Ministrit të Jashtëm, ta ekspozojë maksimalisht në debatin publik, ta pengojë në punën e tij dhe, mbi të gjitha, të minimizojë ose të zhvlerësojë çdo nismë apo rezultat. Eshtë një grup që kanë marrë rolin e arbitrave të paemëruar, të cilët rrinë e kundrojnë, me kartonin e verdhë në dorë, disa menjëherë edhe me atë të kuq, duke e shpalosur me kënaqësinë që u jep rasti vetëm e vetëm që të jenë pjesë e zhurmës. Për shumëkënd, rëndësi ka zhurma, jo përmbajtja. Fatmirësisht, ka pasur plot të tjerë që, me gjakftohtësi dhe pa paragjykime, kanë analizuar siç duhet jo vetëm kontekstin historik, por edhe atë gjeopolitik, duke shtruar pyetjen e vetme që ka vërtet rëndësi: a i shërben ky hap interesit kombëtar të Shqipërisë apo jo?

Është shumë e trishtueshme dhe ndjej keqardhje që në Shqipëri pothuajse çdo çështje lexohet përmes prizmit të ndarjes bardh e zi. Ky është një refleks që e varfëron debatin publik dhe e bën gjithnjë e më të vështirë zhvillimin e një diskutimi serioz, edhe kur nuk jemi dakord, por të mbështetur mbi fakte dhe interesin kombëtar.

Shpesh, etja për të kritikuar e tejkalon dëshirën për të kuptuar. Nxitimi për të sharë e për të dënuar paraprakisht mbyt gatishmërinë për të dëgjuar, për të analizuar dhe për të debatuar me qetësi. Në një klimë të tillë, zhurma zë vendin e argumentit, ndërsa paragjykimi paraprin gjykimin.

Për sa i përket thelbit të çështjes, kam zgjedhur të jem i qartë që në momentin e parë. Kam shpjeguar publikisht, edhe pse në mënyrë të përmbledhur, qasjen dhe interesin tonë, duke rikujtuar edhe disa parime bazë mbi të cilat ndërtohen marrëdhëniet diplomatike dhe që, fatkeqësisht, disa zgjedhin t’i harrojnë pikërisht atëherë kur nuk u përshtaten argumenteve të tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se kërkesa e Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës nuk është një ide e re dhe as një reagim i momentit. Ajo është një objektiv i kahershëm i politikës sonë të jashtme, i artikuluar prej vitesh nga vetë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi dhe i ndjekur në mënyrë të vazhdueshme nga institucionet shqiptare. Nëse ka një kritikë që do të mund të fomulohej, ajo është vetëm një: se është ndërmarrë shumë më vonë sesa duhej.

Pyetje: Nëse ka qenë objektiv prej kaq kohësh, pse nuk është realizuar më parë?

Përgjigje: Sipas së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës së konsoliduar diplomatike, një konsullatë nuk mund të hapet në territorin e një shteti pa pëlqimin e shprehur të atij shteti. As Shqipëria, as Serbia dhe asnjë shtet tjetër, nuk mund të vendosë në mënyrë të njëanshme një Konsullatë të Përgjithshme në territorin e një vendi tjetër. Hapja e një përfaqësie diplomatike është gjithmonë rezultat i një procesi negociues, që kërkon dialog, mirëkuptim dhe dakordësi të ndërsjellë. Për vite me radhë, kërkesa shqiptare për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës është refuzuar, shtyrë ose lënë pa një përgjigje konkrete nga autoritetet serbe.

Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, e kam vendosur këtë si një nga prioritetet e mia. Ka qenë kërkesa ime e parë në të gjitha kontaktet me përfaqësuesit e Serbisë, përfshirë Ministrin e Jashtëm. Madje, që në takimin tonë të parë në muajin prill, në Antalia, zhvilluar me kërkesën time, tema kryesore e bisedës ishte pikërisht hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc. Këtë e kam bërë publike pas takimit. Nuk hasa kundërshtim të drejtpërdrejtë, por as ndonjë entuziazëm të veçantë. Pikërisht mbi këtë bazë kam vijuar të punoj, me këmbëngulje dhe në mënyrë të pandërprerë, për të ndërtuar mirëkuptimin e nevojshëm.

Kushdo që ka qoftë edhe njohuritë më elementare mbi diplomacinë e di se mirëkuptimi nuk imponohet; ai ndërtohet përmes dialogut, mbështetet mbi interesa dhe, thuajse gjithnjë, konkretizohet përmes reciprocitetit. Diplomacia nuk është arti i imponimit të vullnetit tënd, por aftësia për të krijuar kushtet që interesat e tua të avancojnë në një mjedis ku edhe pala tjetër ndjek interesat e veta.

Pikërisht për këtë arsye, reciprociteti nuk duhet parë si një lëshim, jo domosdohsmërisht asimetri e çfarëdollojtë, aq më pak si një barazim mekanik interesash. Ai është mekanizmi përmes së cilës shtetet arrijnë të realizojnë objektivat e tyre. Çdo diplomat serioz përpiqet të avancojë maksimalisht interesat e vendit që përfaqëson, por pa harruar asnjëherë se përballë ka një shtet që vepron sipas të njëjtës logjikë.

Edhe në këtë rast, jemi plotësisht të vetëdijshëm për kompleksitetin e marrëdhënieve me Serbinë. Nuk kemi asnjë iluzion, asnjë naivitet dhe asnjë pritshmëri jorealiste. E dimë shumë mirë se pala tjetër do të përpiqet të avancojë interesat e saj, ashtu siç bëjmë edhe ne. Por diplomacia nuk ndërtohet mbi dëshira dhe kjo vlen për cdo shtet.

Ne i kemi analizuar me kujdes të gjitha aspektet, implikimet dhe pasojat e mundshme. Një prani e përhershme diplomatike dhe institucionale shqiptare në Luginën e Preshevës, si edhe dakordësia dypalëshe që e bën të mundur atë janë instrumente legjitime të politikës së jashtme dhe shprehje e përgjegjësisë kushtetuese të shtetit shqiptar. Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e ngarkon shtetin të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të saj. Pikërisht këtë synon kjo nismë: ta çojë shtetin shqiptar më pranë atyre që janë në nevojë, të mbrojë më mirë të drejtat dhe interesat e tyre dhe ta shndërrojë praninë dhe kujdesin e Shqipërisë në Luginë nga një aspiratë në një realitet të përditshëm institucional.

Ndaj, kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në debatet televizive, në postime në facebook, në podcaste, apo në tërësi në rrjetet sociale, dhe sigurisht kudo ku gatuhen narrativat që vetëm synojnë përfitime individuale politike, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës.

Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar, vetëm për të ushqyer polemikën politike. Shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë për patriotizëm retorik; ata kanë nevojë për një shtet që bën çmos për tu qenë pranë, të angazhuar dhe efektiv. Pikërisht këtë synon të arrijë kjo nismë.

Pyetje: Çfarë do t’u siguronte konkretisht një Konsullatë e Përgjithshme në Bujanoc shqiptarëve që jetojnë atje?

Përgjigje: Nëse do të kishte pasur nevojë për një debat serioz, edhe pse në fakt për nisma të tilla nuk ka asnjëherë nevojë, kjo do të kishte qenë pyetja e duhur dhe e vetme: Pse i duhet Shqipërisë një Konsullatë e Përgjithshme në Luginën e Preshevës? Cilit interes kombëtar i shërben? Pse duhen investuar fonde publike për këtë etj.?

Në vend të kësaj ndodhi krejt e kundërta. Pothuajse të gjithë kritikët dhe urrejtësit anashkaluan qëllimisht atë që është thelbësore: interesin dhe kujdesin për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Vëmendja nuk u përqendrua tek mbi 60 mijë shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por pothuajse ekskluzivisht te pyetja se çfarë mund të përfitonte Serbia nga një konsullatë e saj në Shqipëri.

Nuk ka shpërfillje më të madhe të interesit kombëtar sesa shpotia se gjoja po e mbron. Nuk ka tallje më të madhe me pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës sesa t’u thuash, në thelb, se nevoja e tyre për një prani të përhershme të shtetit shqiptar vlen më pak se një debat i ushqyer nga frika, simbolika apo llogaritë e politikës së ditës.

Për hir të transparencës dhe nevojës së imponuar nga shkalla e keqdashjes, po detyrohem të bëj atë që në fakt nuk ndodh shpesh, të justifikoj publikisht pse kemi kërkuar dhe punuar për një Konsullatë e Përgjithshme shqiptare në Luginë. Jo se nuk e di apo nuk e imagjinon pala tjetër, por sepse këto gjëra asnjëherë nuk shpalosen në publik, sepse negocimi nuk bëhet as në facebook e as në tik tok. Por meqënëse jemi në këtë pikë, ndoshta më mirë. Konsullata, nëse krijohet, edhe përtej përpjekjeve për ta minuar:

do të krijonte një komunikim të përhershëm e të drejtpërdrejtë me ta dhe do të ofronte gjithë gamën e shërbimeve konsullore pranë qytetarëve;
do të siguronte një prani të qëndrueshme institucionale të shtetit shqiptar pranë komunitetit shqiptar;
do të lehtësonte ndjeshëm dhe në mënyrë shumë më të organizuar bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe zhvillimit lokal;
do të lejonte ndjekjen shumë më nga afër të çështjeve që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, furnizimin me tekstet shkollore, mbështetjen për përfaqësimin në institucionet publike dhe mbështetjen për ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor;
do të mundësonte monitorimin, dokumentimin dhe raportimin më të drejtpërdrejtë të problematikave që prekin shqiptarët, përfshirë pasivizimin e adresave dhe praktika të tjera diskriminuese;
do të krijonte një kanal të përhershëm dialogu me autoritetet lokale e qendrore serbe, duke mundësuar trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të shqetësimeve të komunitetit shqiptar.
Me një fjalë, do ta bënte shtetin shqiptar realisht të pranishëm në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila, në nenin 8 të saj, na ngarkon të kujdesemi për shqiptarët jashtë kufijve.

Për fat të keq, ky nuk ishte debati. Në vend që të flitej për interesin dhe për nevojat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shumë prej atyre që morën flamurin dhe u vetëshpallën si mbrojtës të interesit kombëtar, zgjodhën të analizojnë, madje edhe të argumentojnë, arsyet pse Serbia mund të dëshironte të njëjtën gjë në Shqipëri. Në mënyrën më absurde, duke përjashtuar çdo zë të arsyeshëm, debati u zhvillua më shumë në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.

Kjo është trishtuese, jo vetëm paradoksale. Sepse patriotizmi nuk matet me refuzimin apriori të çdo veprimi të palës tjetër. Ai matet me aftësinë për të avancuar interesat e vendit tënd, me maturi, profesionalizëm dhe rezultate konkrete. Gjithçka tjetër është politikë e ditës, jo politikë e jashtme.

Pyetje: Le të kthehemi edhe një herë tek ajo që ju e keni cilësuar si “qasja”, parimi i “reciprocitetit” dhe si funksionon e justifikohet në këtë rast? Ka pasur kritika se kjo nënkupton se dy komunitetet, shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës, janë të barabartë?

Përgjigje: E kam shpjeguar edhe më parë dhe dua ta përsëris: reciprociteti është një parim themelor në diplomaci, është qasje, por nuk nënkupton kurrsesi barazi automatike në asnjë aspekt përvec mënyrës dhe lartësisë së veprimit. Ai është mekanizmi përmes të cilit shtetet arrijnë marrëveshje, krijojnë mirëkuptime dhe zgjidhin çështje me interes të ndërsjellë. Ai nuk është asnjëherë formulë matematike që barazon interesat, nevojat, numrat, përfitimet apo peshën e secilës palë. Përpjekja për ta reduktuar këtë çështje në raport krahasimor numerik, siç u rekën të nxituarit, është, në rastin më të mirë, një keqkuptim i mënyrës se si funksionon diplomacia, në rastin më të keq, thjesht padije.

Në diplomaci, çdo shtet ka një detyrim themelor: të mendojë, të veprojë dhe të mbrojë interesat e veta kombëtare. Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. Pikërisht mbi këtë realitet ndërtohet diplomacia serioze. Palët kanë kutin e vet, matësin e interesit dhe vlerësuesin e rezultatit të pritshëm.

Me lejoni ta theksoj sepse ndjej se ka nevojë: ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë.

Ata që nxitojnë të krahasojnë shifrat të tilla do të duhet që t’u përgjigjen edhe pyetjeve se çfarë provojnë këto shifra dhe cili do të ishte, sipas tyre, numri “i duhur” që do ta bënte një konsullatë të justifikuar? Kush e përcakton këtë prag? Dhe me çfarë të drejte do t’i impononim një shteti tjetër mënyrën se si ai organizon rrjetin e tij konsullor?

Lidhja ndërmjet konsullatave dhe komuniteteve kombëtare jashtë kufijve është një faktor i rëndësishëm, pa dyshim, por kurrsesi kriteri i vetëm. Konsullatat hapen edhe për një numër arsyesh të tjera, siç janë ato ekonomike, tregtare, administrative, kulturore, turistike, për shkak të intensitetit të marrëdhënieve dypalëshe ose për të mbështetur interesa strategjike.

Vetë Shqipëria është shembull i kësaj praktike. Ne kemi Konsullata të Përgjithshme në Ulqin dhe Strugë, gjithashtu në Selanik, Janinë, Milano, Bari dhe Mynih, si dhe një konsullatë në Nju Jork. Prania jonë në të gjithë këto vende lidhet natyrshëm me numrin e qytetarëve, por në realitet ajo shkon më tej, pasi shtrihet dhe në promovimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare në hapësirën e mbulimit të konsullatës, në lëvizjen e njerëzve dhe interesa të tjera kombëtare.

Nga ana tjetër, në Shqipëri funksionojnë tashmë Konsullata të Përgjithshme të vendeve fqinjë në Gjirokastër, Korçë dhe në Vlorë. Kushdo, me pak kërkim, mund të konstatojë se prania apo mungesa e një komuniteti minoritar nuk është aspak kriteri i vetëm mbi të cilin janë hapur konsullatat në fjalë.

Shteti që merr një kërkesë për hapjen e një përfaqësie diplomatike ose konsullore ka vetëm një përgjigje në vendimmarrjen sovrane: ta pranojë ose ta refuzojë atë. Të gjitha aspektet e tjera, vendndodhja, arsyetimi, interesat që synohen të mbrohen dhe mënyra e organizimit të pranisë konsullore, janë në diskrecionin e shtetit kërkues. Kështu ka qenë për konsullatat shqiptare jashtë vendit dhe kështu është për çdo shtet. Ndjesë se u zgjata dhe po më duket si leksion, por kjo është e vërteta.

Pyetje: A rrezikon sovranitetin shqiptar hapja e një konsullate serbe në Shkodër?

Përgjigje: Jo, në asnjë mënyrë. Hapja e një konsullate – ashtu siç është ambasada në një kryeqytet – nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Përmenda më lart praninë tonë diplomatikë në vendet fqinjë. Askush nuk është ndjerë i kërcënuar sepse s’ka arsye pse. As Shqipëria e asnjë vend nuk do të lejonte kurrë një prani diplomatike që cenon interesat dhe sovranitetin e vendit.

Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare. Porosia e parë që marin diplomatët tanë para se të marrin detyrën, është respektimi ligjit të vendit ku do të punojnë. Dua të besoj se kjo është e njëjtë për çdo vend.

Pyetje: A ndryshon në ndonjë mënyrë ky angazhim me Serbinë qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës?

Përgjigje: Kam përshtypjen se kjo pyetje e ka marrë përgjigjen shumë herë, në mënyrë të plotë e shterruese, jo vetëm përmes qëndrimeve dhe deklaratave tona publike, por mbi të gjitha përmes realitetit të asaj që Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë.

Përgjigjja është e drejtpërdrejtë: Aspak.

Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm.

Diçka krejt tjetër janë rrahjet e gjoksit dhe demonstrimet e patriotizmit verbal, qofshin ato individuale apo të frymëzuara, nga individë që nuk lodhen duke shpërndarë certifikata patriotizmi nga të gjitha anët e kufirit. Patriotizmi nuk provohet me deklarata dhe as me zhurmë mediatike.

Diplomacia nuk është garë sloganesh, as konkurs klikimesh apo reagimesh në rrjetet sociale. Diplomacia matet me rezultate konkrete, me aftësinë për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare, për të qenë pranë qytetarëve dhe për të arritur objektiva që i shërbejnë shtetit dhe kombit. Historia nuk mban mend ata që kanë bërtitur më fort, por ata që kanë arritur të sjellin rezultate.

Dialogu dhe marrëdhëniet me Serbinë nuk janë certifikatë miratimi për politikat e tij ndaj Kosovës. Por diplomacia nuk funksionon mbi logjikën e izolimit, por mbi aftësinë për të komunikuar, për të negociuar dhe për të avancuar interesat e vendit edhe në mjedise të vështira.

Diplomacia bardhë e zi zbatohej në komunizëm dhe të gjithë e dimë se ku e çoi edhe Shqipërinë, Kosovën edhe mbarë botën shqiptare. Çdo frymëzim i tillë në ditët e sotme çon vetëm në dështim.

Pyetje: Si u përgjigjeni atyre që e shohin këtë marrëveshje thjesht si një koncesion simbolik ndaj Serbisë, për shkak të ndjeshmërisë historike që lidhet me fjalën “Serbi” pranë Shkodrës?

Përgjigje: Çdo ndjeshmëri me natyrë historike dhe politike duhet kuptuar dhe respektuar, jo përqeshur apo minimizuar. Ne i kemi pasur parasysh të gjitha këto konsiderata dhe i kemi vlerësuar me seriozitetin e duhur. Por, edhe një herë, nëse do të lejojmë që vetëm historia dhe e kaluara të përcaktojnë çdo vendim të së tashmes, atëherë rrezikojmë të humbasim aftësinë për të parë me qartësi dhe vizion drejt së ardhmes.

Historia nuk harrohet e as nuk zhbëhet. Ajo na mëson, na kujton dhe na udhëzon. Por përgjegjësia e institucioneve shtetërore është të peshojnë interesin kombëtar duke parë nga e ardhmja, mbi bazën e rezultateve konkrete që sjellin vendimet për qytetarët dhe vendin, jo vetëm mbi simbolikën apo ngarkesën emocionale të një çështjeje.

Pyetja themelore në këtë rast nuk është vetëm se çfarë kërkon Serbia. Këtë e di Serbia dhe është në tagrin e saj ta përcaktojë e ta mbrojë. Pyetja të cilës ne duhet t’i përgjigjemi ne është: çfarë kërkojmë dhe çfarë synojmë të arrijmë ne? Për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme përgjigjja është e qartë sepse udhëhiqet nga përgjegjësia për të prodhuar rezultate.

Nëse dikush mendon se Shqipëria nuk duhet të kërkojë një prani të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, nëse dikush mendon se shqiptarët atje nuk duhet të kenë një institucion shqiptar më pranë tyre, atëherë kjo duhet thënë hapur dhe qartë. Sepse debati i vërtetë nuk është nëse Serbia ka apo jo interesat e saj. Çdo shtet i ka dhe i përcakton vetë ato. Debati është nëse Shqipëria duhet të përdorë apo jo instrumentet diplomatike që ka në dispozicion për të mbrojtur interesat e veta dhe për t’u shërbyer qytetarëve të saj.

Edhe një fjalë të fundit: atdhedashuria dhe mbrojtja e interesit kombëtar nuk maten me volumin e zhurmës që emetojnë në publik, as me akuzat e papërgjeshme që janë kthyer në një lloj “monedhe të zakonshme” të debatit politik, e aq më pak me pseudopatriotizmin e përfituesve të momentit, sidomos të konvertuarve të orës së fundit. Ato maten me aftësinë për të prodhuar rezultate konkrete, për të krijuar mundësi të reja dhe për të avancuar realisht interesat e vendit dhe të shqiptarëve. Kjo është ajo që kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj, deri në minutën e fundit në këtë detyrë e në këtë profesion./ Top Channel