Një debat absurd mbi historinë dhe popujt pothuajse përfundoi në tragjedi në lagjen Kirchlinde të Dortmundit. Një 42-vjeçar shqiptar u arrestua në Zvicër dhe u ekstradua të hënën e kaluar drejt Gjermanisë, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një burri pas një konflikti në bar.
Ngjarja ka ndodhur më 5 nëntor 2025, por çështja mbeti e pazbardhur për muaj të tërë, duke i shtyrë autoritetet gjermane të ngrinin një skuadër të posaçme për hetimin e vrasjeve. Sipas detajeve të bëra publike, pak pas orës 23:00 të natës së ngjarjes, i dyshuari hyri në një pub në Kirchlinde, ku pak më vonë mbërriti edhe viktima. Të dy u ulën pranë njëri-tjetrit në bar duke pirë birrë.
Situata u tensionua kur viktima pretendoi gjatë bisedës se keltët ishin më të vjetër se shqiptarët. Kjo deklaratë nxiti një debat të ashpër mes tyre. Rreth orës 23:50, të dy burrat u larguan nga pub-i dhe pak metra më tutje, pasoi sulmi brutal. “Blick” raporton se ekipet e ndihmës së shpejtë që mbërritën në vendngjarje e gjetën viktimën të shtrirë në tokë, pa ndjenja, me lëndime të rënda në kokë dhe të mbuluar me gjak. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa autori u largua me vrap nga vendngjarja.
Për muaj të tërë, hetimet e policisë gjermane nuk dhanë rezultat, pavarësisht thirrjeve publike për dëshmitarë. Kthesa vendimtare erdhi në qershor 2026, kur rasti u transmetua në emisionin e njohur gjerman për çështjet e pazbardhura. Audienca e gjerë e emisionit siguroi pistën kyçe që çoi policinë drejt vendndodhjes së 42-vjeçarit në Zvicër. Edhe pse policia nuk e specifikoi qytetin e saktë të arrestimit, konfirmohet se ai tashmë ndodhet në duart e drejtësisë gjermane pas përfundimit të procedurave të ekstradimit.
