Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ngriti pikëpyetje nëse subjekti “Neomalsore Agroturizëm”, i lidhur me të, disponon certifikatë pronësie për tokën ku ushtron aktivitetin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku kundërshtoi me ironi deklaratat e Braçes, duke theksuar se familja e saj jeton prej tre brezash në atë zonë, por ende nuk ka arritur të pajiset me dokumentacion pronësie.
“Jo, zoti Braçe, nuk i kam letrat. Nëna ime ka ardhur vajzë aty, është bërë nënë dhe është bërë gjyshe. Ka tre breza aty dhe zero dokumente”, shkroi deputetja.
Më tej, Koçeku ngriti pyetjen nëse mungesa e dokumenteve të pronësisë është përgjegjësi e banorëve apo e institucioneve shtetërore, duke vënë në dukje se problematika vijon prej dekadash.
“Pra, më thuaj ti mua: a u ka munguar vullneti prindërve të mi dhe banorëve të atyre zonave, apo i ka munguar vullneti shtetit? Ma shpjego ti mua, që je në legjislaturë pothuajse aq sa unë kam vite jetë”, u shpreh ajo.
Reagimi i Koçekut vjen në vijim të debatit publik për çështjet e pronësisë dhe dokumentacionit të tokave ku ushtrohen aktivitete ekonomike në zonat rurale.
