Ndryshe nga shefja e tij Marta Kos, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato perifrazoi raportin e OSBE- OHDIR kur foli për zgjedhjet.

Politika është ulur për të shkruar rregullat e reja të lojës dhe Brukseli pret adresimin e çështje të cilat përmirësojnë i bëjnë zgjedhjet me të mira.

“Të gjitha këto janë rekomandime të raportit final të OSBE/ODIHR, i cili evidentoi sfida të rëndësishme, nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore te kushtet e pabarabarta të fushatës, mbikëqyrja e kufizuar dhe nevoja për të forcuar më tej neutralitetin institucional dhe transparencën në financimin politik.

Adresimi i këtyre çështjeve është thelbësor jo vetëm për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Gonzato.

Atë se çfarë politika shkruan në letër, e vë në zbatim KQZ, dhe Ilirjan Celibashi ka propozime konkrete për sanksione ndaj partive që nuk respektojnë rregullat zgjedhore.

“Partitë që nuk raportojnë nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe nëse kanë marrë financim nga buxheti i shtetit, do të duhet të përballen edhe me sanksione financiare. Marrja pjesë rishtazi në zgjedhje e këtyre partive do të duhet të lejohet vetëm në kushtet e depozitimit të raporteve financiare të padepozituara dhe të pagimit të sanksioneve financiare kur është rasti“, tha Celibashi.

Të pranishëm ishin në tryezë edhe dy bashkëkryetar e Komisionit të Reformës Zgjedhore, qasja e përfaqësuesve politik ishte e ndryshme sa i përket rëndësisë së arritjes së konsensusit, për një ligj të ri për financimin e partive politike.

“Bashkëpunimi është i vështire pasi ka ligje që prekin interesat e partive politike. Konsensusi politik është shumë i vështirë dhe sa më shumë i afrohemi datës së zgjedhjeve pa një marrëveshje për reformë zgjedhore, gjë që edhe mund të ndodhë, për shkak të nevojës së një bllok skeme ne lëmë gjithçka pa rregulluar“, u shpreh Damian Gjiknuri.

“Çështja e parë që duhet parë janë burimet e financimit të partive, a janë të mjaftueshme dhe të pastra. A kanë partitë resurse që i bëjnë më imune nga aktorë të tretë të jashtëm apo dhe nga krimi i organizuar“, tha Oerd Bylykbashi.

Komisioni për reformën zgjedhore ka rënë dakord që puna të nisë me hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike që duhet të jetë gati deri në fund të dhjetorit.