Dy ndër mendjet më të ndritura të shqiptarëve, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare dhe akademiku i njohur Rexhep Qosja u përfshinë në një polemikë të fortë në distancë mes tyre sa i takon identitetit europian të shqiptarëve. Debati zgjati më shumë se dy vjet, përfshiu edhe intelektualë të tjerë dhe shumë kohë më vonë u mbyll me një pajtim mes tyre.
Ismail Kadare lartësonte tezën se shqiptarët, duhet të kapërcenimin 5 shekujt nën pushtimin osman dhe të riktheheshin si princër të Evropës, tek ADN-ja e Skënderbeut. Rexhep Qosja replikoi duke marrë në mbrojtje myslimanët shqiptarë, të cilët, ishin sipas tij, po aq shqiptarë, e po aq evropianë sa të krishterët e përqafuar nga Kadare.
“Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas së cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike. Hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu edhe për të majtën”, deklaronte Ismail Kadare.
Në repikë me Kadarenë, akademiku nga Kosova lëvronte një tezë tjetër, teksa shkruante esenë e tij ‘Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”.
“Shqiptarët i takojnë qytetërimit ismalik, hiç më pak se qytetërimit të krishterë”, deklaronte Rexhep Qosja.
Akademiku nuk do të kursehej e t’i quante tezat e Kadaresë, raciste.
“Sprova e Ismail Kadaresë, është e mbështetur në premisa të gabuara: në përpjekje për të dëshmuar, në njërën anë kundërshtitë kulturore midis Evropës e Lindjes myslimane, kurse, në anën tjetër sipërinë e identitetit evropian ndaj identiteteve të tjera, para së gjithash, ndaj identitetit mysliman! Dhe, kjo sipëri është, sipëri raciste”, deklaronte Qosje.
Kadare e fajësonte Qosen se po e ndante “identitetin evropian” të shqiptarëve në “identitet mysliman” dhe në “identitet të krishterë”. Dhe kjo ndarje, Kadaresë i ngjante me një muzikë e njohur, të dëgjuar shumë herë, e të rrezikshme.
“Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese”, deklaronte Kadare.
Vite më vonë, Qosja dhe Kadare i dhanë fund polemikës mes tyre.
Në një fjalim në 90 vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave shqipe, akademiku Kadare shkruante: “Polemika jonë më e njohur lidhej me çështjen e identitetit të shqiptarëve. Ishin mendime të ndryshme, argumente të ndryshme, këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën çështje themelore. Këto mospajtime nuk ishin personale; ato ishin intelektuale dhe kulturore. Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetën njerëzore, ato lanë pasoja edhe në raportin tonë personal. Shoqëria jonë u zbeh dhe rrugët tona, mjerisht, nuk u takuan më”./ Top Channel

