Menjëherë pas apelit të OSBE-së dhe Avokatit të Popullit, policia e kryeqytetit ka marrë nën ruajtje romët, të cilët rrezikojnë të nxirren nga shtëpitë në rrugën e Kavajës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka urdhëruar që situata në zonën pranë banesave të 37 familjeve rome të mbahet nën kontroll.
Urdhri, i firmosur nga Burgaj i është drejtuar komisariatit numër 2, i cili e ka në varësi territorin dhe sipas porosisë, ata duhen mbrojtur që të mos nxirren forcërisht nga banesat, pavarësisht se toka është me pronar. Sipas Burgajt duhen ndjekur procedurat ligjore dhe u ka kërkuar vartësve të pezullojnë punimet e kompanisë private, derisa të gjendet një zgjidhje për strehimin e romëve, madje është kërkuar patrullim 24 orë në atë zonë.
Sot skadon afati që u është caktuar nga Kompania e Ndërtimit për të liruar hapësirën tek ish-Qendra e Realizimit te Punimeve te Artit, ku disa prej këtyre familjeve rome jetojnë prej më shume se 10 vitesh. Problemi i strehimit të tyre solli reagimin e fortë të institucionit të Avokatit të Popullit, zyrës së OSBE në Tiranë dhe “Amnesty International”.
7 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com)
